Spasovski dha detaje rreth aksionit policor për të kapur kriminelët e grupit të “Dyqanxhikut” dhe të “Gërçecit” (VIDEO)

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në orët e pasdites përmes një konference të jashtëzakonshme ka shpalosur disa të dhëna në lidhje me aksionin policor që është zhvilluar në disa vendbanime të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Aktivitetet e sotme nga punonjësit policor nga Biroja për siguri publike janë rezultat i hetimeve disamujore të udhëhequra nga Prokurorë publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në kuadër të së cilës janë siguruar dëshmi të mjaftueshme që në periudhën nga dhjetori i vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i akuzuari Sh.M. (46) nga fshati Gërçec, së bashku me dy persona, tani të ndjerin O.B. dhe J.K, kanë organizuar grup kriminal, ku u bashkëngjitën edhe shumë persona.

Grupi kriminal transportonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Maqedoni dhe kryente vrasje dhe hakmarrje, tha ministri.

“Ata kishin plane kush dhe ku do të vritet. Ky grup ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe organizonte blerjen e kokainës nga Amerika e Jugut, të cilën drogë e transportonin në Evropë, ndërsa një pjesë në vend. Ata përdorën komunikim të koduar përmes aplikacionit SKY, i cili është praktikisht i pa gjurmueshëm”, tha Spasovski.

“Personat organizator dhe anëtar të grupit kanë kryer shumë vepra penale të dënueshme në përputhje me Kodin Penal, për çka gjatë ditës deri te PTHPNKOK është dërguar kallëzim penal ndaj 16 personave: Sh.M. (46), D.I. (50), F.B. (45), B.A. (44), R.S. (41), S.A. (44), M.Ç. (27), S.S. (36), Sh.A. (27), Sh.B. (20), N.I. (44), E.I. (25), F.S. (43), Sh.S (40), M.D. (41) dhe O.P. (43)”, njoftoi Policia.

Me mbështetjen e Europolit dhe në bashkëpunim me policinë e Francës, Belgjikës dhe Holandës, sot është kryer aksion policor kundër personave të përfshirë në trafik droge dhe të përfshirë në vrasje.

Luftë mes bandash

Orhan Bajrami -Oki, ishte pjesë e grupit të Duqanxhikut, pjesë e së cilit ishte edhe i ndjeri Jeton Krivanjeva – Zhilla dhe Enes Iseni, dy të vrarët gjatë incidentit të 6 marsit në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja kishte ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

Mediumi DW në gjuhën maqedonase, nëpërmjet një analize të publikuar më 7 mars, incidentet i lidh si vijimësi të hakmarrjeve mes narko-grupeve rivale në Shkup.

“Luftë për sundim në tregun e narkotikëve, hakmarrje dhe llogari të papastruara mes anëtarëve të grupit “Bellanoca” nga Hasanbegu dhe konkurrentët e tyre nga Gërçeci – jozyratrisht, këto janë arsyet për incidentin e mbrëmshëm në Çarshi të Shkupit”, shkruan DW.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.