RMV, u ndal greva e Qendrës Shtetërore për Provime

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka njoftuar që është ndërprerë greva e punonjësve të Qendrës Shtetërore për Provime, pas takimit të ministrit Jeton Shaqiri me drejtoreshën Biljana Mihajlovska. transmeton Portalb.mk.

“Greva për paga më të larta në Qendrën Shtetërore të Provimeve është ndërprerë dhe nga sot punonjësit vazhdojnë me kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre të përditshme. Është nënshkruar  ndryshimi në Marrëveshjen  Kolektive”, njoftoi Ministria.

Theksohet që përmes ndryshimeve në Marrëveshje, do të ketë rritje të pagave për të punësuarit në QSHP.

“Sipas drejtoreshës Mihajllovska, provimi i maturës shtetërore, si proces më i madh në kompetencë të QSHP-së do të zhvillohet me cilësi më të mirë dhe brenda afateve të parapara. Përgatitjet janë intensive, që nënkupton krijimin e bazave të të dhënave me pyetje, protokolle dhe shtypjen  e materialeve të provimit”, njoftoi Ministria.

Ndryshe, QShP-ja e pezulloi grevën në maj, para maturës dhe arsyeja për këtë, siç thanë nga atje, ishte se ministri ka dashur të fusë persona të jashtëm në procesin e maturës shtetërore.

Sindikata e QShP-së e nisi grevën më 25 prill me kërkesat për rritje të pagave për punonjësit dhe miratimin e kontratës së tyre kolektive. Sindikata ndalon të gjitha proceset për të cilat është përgjegjës QShP.