SHBA-ja dhe Britania sanksionojnë zyrtarë të lartë të Huthëve pas sulmeve në Detin e Kuq

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë të enjten se kanë vendosur sanksione të koordinuara ndaj katër figurave të rebelëve Huthi, për rolin e tyre në mbështetjen dhe organizimin e sulmeve ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq, raporton REL. Sulmet e Huthëve, të përkrahura prej Iranit, kanë çrregulluar tregtinë globale dhe kanë rritur shqetësimet për rritje të inflacionit.

Këto veprime i kanë thelluar shqetësimet se pasojat e luftës Izrael-Hamas mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme.

Në mesin e personave të sanksionuar janë ministri i Mbrojtjes i Huthëve, Mohamed Nasser al-Atifi, komandanti i forcave detare të Huthëve, Muhammad Fadl Abd Al-Nabi, shefi i forcave të mbrojtjes detare, Muhammad Ali al-Qadiri dhe Muhammed Ahmad al-Talibi, të cilin të dyja qeveritë e kanë përshkruar si drejtor të prokurimit për rebelët Huthi.

“Bashkë me aleatët tanë, ne do të vazhdojmë të shënjestrojmë personat përgjegjës për veprimet e papranueshme dhe joligjore të Huthëve, të cilat rrezikojnë jetën e detarëve të pafajshëm dhe pengojnë bartjen e ndihmave për banorët e Jemenit”, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, i cili është në vizitë në Lindje të Mesme.

Sanksionet synojnë të pamundësojnë Huthët për të kryer sulme në Detin e Kuq, ka thënë Britania.

Thesari amerikan ka thënë se al-Atifi ka paralajmëruar publikisht se Huthët do ta shndërrojnë Detin e Kuq në varrezë, në përgjigje të sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Jemenit, me qëllim të sigurimit të trafikut komercial.