Vrasja e Orhan Bajramit “besohet të jetë e porositur”, policia në kërkim të autorëve

Policia greke po vazhdon kërkimet për gjetjen e dy personave të cilët dje e likuiduan udhëheqësin joformal të grupit kriminal “Duqanxhik”, Orhan Bajrami – Oki, në Sani Villas Hanioti të Greqisë, njofton Portalb.mk.

Policët të cilët dëshirojnë të mbeten anonim pasi që nuk janë të autorizuar të flasin zyrtarisht për rastin, për Asociadet Press deklaruan se besohet se bëhet fjalë për vrasje të porositur.

Të njëjtin lajm e ka botuar edhe ABC News.

Në ndërkohë, portali 4News ka publikuar një lajm në të cilin thuhet se vrasja e Orhan Bajramit është paralajmëruar në rrjetin social TikTok.

Profili nga i cili është paralajmëruar likuidimi tani nuk është i qasshëm, në të njëjtin, sipas mediumit, më shumë se një vit janë paralajmëruar edhe likuidime tjera.

Në publikimin për Orhan Bajramin, sipas mediumit thuhet se ai është në radhë në listën për likuidim dhe pas vrasjes, puna është kryer.

Tani për tani nuk dihet se kush qëndron mbrapa profilit dhe nëse ka lidhje direkte me vrasjen në Hanioti.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme u raportua në mediat e Greqisë për vrasjen e një 39 vjeçari nga Maqedonia e Veriut dhe plagosjen e 45 vjeçarit. Ngjarja ka ndodhur ne Halkidiki në orën 3:30 të mëngjesit.

Nga MPJ e RMV-së konfirmojnë se gjenda e të plagosurit është stabile.

“Sipas informacioneve të marra nga Konsullata e Përgjithshme në Selanik, e cila është në komunikim të rregullt me ​​spitalin ku ndodhet i plagosuri nga incidenti i djeshëm në Halkidiki, personi ndodhet gjendje stabile dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, thanë sot nga MPJ.

Vrasjen e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut dhe plagosjen e tjetrit, e ka konfirmuar edhe Ministria për Punë të Jashtme e Maqedonisë së Veriut,

“Të dy personat janë dërguar urgjent në spitalin e përgjithshëm të Halkidikit, ku njëri nga plagët e rënda ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri u transportua në një spital tjetër- në Poligiros për tu kuruar mëtutje”, raportojnë nga Ministria.

Në njoftimin zyrtar, thuhet se vrasja ka ndodhur në Halkidiki të Greqisë, ndërsa policia greke është duke zbardhur rrethanat e ngjarjes.

“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Athinë ka kontaktuar institucionet kompetente, përkatësisht policinë në Selanik dhe prej aty është konfirmuar se në Sani Villas të Haniotit, dy persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut”, sqarojnë nga Ministria.

Luftë mes bandash

Orhan Bajrami -Oki, ishte pjesë e grupit të Duqanxhikut, pjesë e së cilit ishte edhe i ndjeri Jeton Krivanjeva – Zhilla dhe Enes Iseni, dy të vrarët gjatë incidentit të 6 marsit në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja kishte ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

Mediumi DW në gjuhën maqedonase, nëpërmjet një analize të publikuar më 7 mars, incidentet i lidh si vijimësi të hakmarrjeve mes narko-grupeve rivale në Shkup.

“Luftë për sundim në tregun e narkotikëve, hakmarrje dhe llogari të papastruara mes anëtarëve të grupit “Bellanoca” nga Hasanbegu dhe konkurrentët e tyre nga Gërçeci – jozyratrisht, këto janë arsyet për incidentin e mbrëmshëm në Çarshi të Shkupit”, shkruan DW.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.