Orhan Bajrami u vra me armë para syve të dy grave – kamerat kanë regjistruar një veturë me targa të huaja

Vrasësit e kreut të grupit të “Duqanxhikut”, Orhan Bajrami-Oki, kanë ardhur në resortin luksoz ku ai po qëndronte me një veturë me targa të huaja dhe jo me motor siç u raportua fillimisht, transmeton Portalb.mk.

Mediat greke po publikojnë informacione të reja për vrasjen e ndodhur mes të shtunës dhe të dielës në Haniot të Halkidikit dhe duke cituar burime nga hetimi, shkruajnë se policia disponon një video të mjetit të përdorur nga sulmuesit.

Sipas burimeve policore, vetura përdorur nga autorët e vrasjes nuk ka kaluar kufijtë e vendit, por nuk përjashtohet që autorët të kenë lënë vetëm veturën, ndërsa kanë kaluar kufirin jashtë Greqisë duke përdorur mjete të tjera.

Siç raporton In.gr, dy autorët pasi kanë zbritur nga makina, kanë kapërcyer murin, kanë qëndruar përballë xhamit të madh dhe kanë qëlluar nga jashtë me një pistoletë të kalibrit 32 mm në drejtim të personave në shtëpi. Ata qëlluan 19 herë. Oki u qëllua për vdekje, ndërsa Sead Slezoviq u plagos.

Voria shkruan se vrasja ka ndodhur para syve të dy femrave në atë moment, herët në mëngjes rreth orës 03:30 të së shtunës, kanë nisur të thërrasin për ndihmë dhe më pas së bashku me personin e tretë i dërguan dy të qëlluarit në Qendrën Shëndetësore Kasandra. Pesë personat ishin nga mosha 19 deri në 45 vjeç, të gjithë nga Maqedonia e Veriut.

Policia greke u njoftua përmes thirrjes në numrin 112 se në atë moment janë dëgjuar zëra për ndihmë.

Tridhjetë e nëntë vjeçari Oki, i cili mbeti i plagosur për vdekje, sipas mediave greke, dyshohet se u fsheh në Greqi duke e ditur se ai ishte objektivi i radhës.

Një njoftim se do të vrasin Bajramin u publikua në TikTok të premten e kaluar.

Konkretisht, një foto e 39-vjeçarit ishte postuar me shkrimin “coming soon”, ndërsa personat djathtas dhe majtas kanë një iks të kuq. Dje është publikuar e njëjta foto nga i njëjti profil, ku 39-vjeçarit i është shtuar një x i kuq, shkruan Voria.

Nga mënyra se si u krye vrasja, autoritetet greke supozuan që në fillim se bëhej fjalë për një ekzekutim të organizuar.

Në këtë kuadër e lidhin ekzekutimin mafioz të 39-vjeçarit Orhan Bajrami me një tjetër vrasje rreth tre muaj më parë në Shkup, në “Shisha bar”.

Luftë mes bandash

Orhan Bajrami -Oki, ishte pjesë e grupit të Duqanxhikut, pjesë e së cilit ishte edhe i ndjeri Jeton Krivanjeva – Zhilla dhe Enes Iseni, dy të vrarët gjatë incidentit të 6 marsit në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja kishte ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

Mediumi DW në gjuhën maqedonase, nëpërmjet një analize të publikuar më 7 mars, incidentet i lidh si vijimësi të hakmarrjeve mes narko-grupeve rivale në Shkup.

“Luftë për sundim në tregun e narkotikëve, hakmarrje dhe llogari të papastruara mes anëtarëve të grupit “Bellanoca” nga Hasanbegu dhe konkurrentët e tyre nga Gërçeci – jozyratrisht, këto janë arsyet për incidentin e mbrëmshëm në Çarshi të Shkupit”, shkruan DW.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.