Sonte në Cineplexx në Shkup jepet filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” sjell humor, kaos dhe satirë
Sonte, më 10 gusht, me fillim nga ora 19:00, në Cineplexx në Shkup do të shfaqet filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, me regji të Kushtrim Bekteshit, shkruan Portalb.mk.
Filmi është komedi me satirë sociale, e cila përmes humorit, absurdit dhe situatave provokuese godet hipokrizinë, moralin e dyfishtë dhe raportet brenda një komuniteti të vogël. Filmi është realizuar si bashkëprodhim mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Historia zhvillohet në një fshat të harruar, ku jeta rrjedh e qetë dhe pothuajse pa ngjarje. Por gjithçka përmbyset kur në lokalin ilegal të dy vëllezërve mbërrijnë tri prostituta. Lajmi përhapet me shpejtësi dhe burrat e fshatit fillojnë të kalojnë kohën dhe të shpenzojnë edhe paratë e fundit në lokal.

Situata del jashtë kontrollit. Shkolla zhytet në kaos, xhamia mbetet pa besimtarët e zakonshëm, ndërsa gratë e fshatit nuk janë më të gatshme të heshtin. Në gjithë këtë rrëmujë, dy të rinj shohin mundësinë për të realizuar dashurinë e tyre, të cilën familjet ua kanë ndaluar.
Përmes një historie plot humor dhe ironi, Bekteshi ndërton një tablo të një shoqërie ku mjafton një ngjarje e pazakontë që të dalin në sipërfaqe dëshirat e fshehura, paragjykimet dhe kontradiktat e komunitetit.
Në film luajnë një numër i madh aktorësh nga hapësira shqiptare dhe rajoni, mes tyre Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Musa Isufi, Ervin Bejleri e shumë të tjerë.
