“Kufiri prej pëlhure” dhe Tetova, Mimoza Veliu: Perdja mund të shqyhet, por kufinjtë që i vendos shoqëria mund të na ndjekin gjithë jetën

Tetova, kujtesa e vendlindjes dhe kufijtë e padukshëm që shoqëria vendos mbi jetën e individit janë në qendër të romanit “Kufiri prej pëlhure” të shkrimtares Mimoza Veliu. Përmes një rrëfimi që e ndërthur të kaluarën me të tashmen, autorja trajton çështje të identitetit, moralit, marrëdhënieve të pushtetit dhe pozitës së gruas në shoqëri. Sonte më 10 nëntor, në orën 17:00, në Shift Center në Tetovë, do të mbahet mbrëmje letrare kushtuar kësaj vepre, e cila shënon romanin e dytë të autores. Në një intervistë për Portalb.mk, Veliu rrëfeu lidhjen e saj me qytetin e lindjes, frymëzimin për romanin dhe domethënien e titullit, që simbolizon kufijtë shpesh të vështirë për t’u kapërcyer, edhe kur duken të brishtë.

Portalb.mk: Në Tetovë do të prezantoni romanin tuaj të dytë, “Kufiri prej pëlhure”. Çfarë domethënie ka për ju takimi me lexuesit në qytetin ku zhvillohen edhe ngjarjet e romanit?

Mimoza Veliu: Ka një domethënie të thellë emocionale për mua. Gjatë gjithë procesit të shkrimit të këtij romani, që nisi në vitin 2022, kur kuptova se të shkruash bukur do të thotë, para së gjithash, të shkruash për vetveten dhe se prejardhja jote është e pandashme nga ajo që je, më kanë shoqëruar shumë dyshime.

Pyesja veten nëse perspektiva ime ndaj këtij qyteti ishte e njëanshme, nëse kujtesa ime ishte zbehur nga koha, apo nëse vështrimi im ishte larguar tepër nga realiteti i sotëm. Por lexuesit e mi të parë më çliruan nga këto dyshime.

Tetova është një qytet që mbart brenda vetes shumë histori, të cilat, sado të ndryshme të duken, ndërthuren rreth disa temave të përbashkëta: moralit, pushtetit dhe dëmit që u shkaktohet atyre që kanë më pak fuqi për t’u mbrojtur, në të shumtën e rasteve, grave.

Andaj, reagimi i lexuesve tetovarë do të ketë për mua një jehonë që do të zgjasë edhe pas shumë vitesh. Për këtë jam krejtësisht e sigurt.

Portalb.mk: Cila ishte shtysa për ta shkruar këtë roman dhe cilat janë çështjet kryesore që trajtoni përmes tij?

Mimoza Veliu: Një nga synimet e mia kryesore me këtë roman ishte të zbuloja atë mantel morali që e kemi pranuar si diçka të vetëkuptueshme, që për vite me radhë ka shërbyer për të mbuluar padrejtësi e krime dhe që, edhe sot, vazhdon të na rëndojë mbi shpinë, sa ne grave aq edhe burrave.

Përmes personazhit kryesor, romani trajton marrëdhënien e dyzuar me vendlindjen, përkatësinë dhe çështjet e identitetit. Ndërsa përmes personazheve të tjera, rrëfimi shtrihet në marrëdhëniet familjare, raportet e ndërlikuara në mjedisin e punës, varësinë dhe politikën.

Të gjitha këto tema, në dukje të ndryshme, ndërthuren rreth një pyetjeje thelbësore: si ndikon morali i imponuar nga shoqëria në jetën dhe zgjedhjet e individit, dhe çfarë ndodh me ata që nuk arrijnë ose nuk pranojnë t’u nënshtrohen rregullave të tij?

Të gjitha këto histori ndërthuren përmes përpjekjes për të zbardhur rrethanat e një aksidenti, i cili, gjatë zhvillimit të ngjarjeve, rezulton të ketë qenë një vrasje. Pikërisht ky kërkim bëhet filli që lidh fatet e personazheve dhe nxjerr në sipërfaqe të vërteta të heshtura, marrëdhënie pushteti dhe mekanizma shoqërorë që mundësojnë fshehjen e së vërtetës.

Portalb.mk: Çfarë përfaqëson “Kufiri prej pëlhure” dhe si lidhet kjo metaforë me fatet e personazheve?

Mimoza Veliu: “Kufiri prej pëlhure” buron nga një skenë konkrete e romanit, një dasmë tetovare e viteve tetëdhjetë, ku një perde e pëlhurtë ndan burrat nga gratë. Një kufi fizik, në dukje i brishtë, por që mbrohet me një forcë të jashtëzakonshme nga shoqëria.

Për mua, kjo perde, që përdoret edhe sot e kësaj dite, është metaforë e kufijve të padukshëm që na imponohen nga tradita, morali, përkatësia dhe pushteti. Personazhet e romanit, por në përgjithësi të gjithë ne, përballemi vazhdimisht me këta kufij: disa i kapërcejnë duke paguar një çmim të lartë, disa përpiqen t’i rrëzojnë, ndërsa të tjerë bëjnë gjithçka për t’i ruajtur.

Fatkeqësisht, edhe ne gratë jemi shpesh ndër ato që përpiqen ta mbajnë perden në këmbë me çdo kusht, madje edhe kur ajo kufizon vetë lirinë tonë.

Dhe këtu qëndron paradoksi që më intereson: pëlhura mund të shqyhet me një lëvizje të vetme, por kufijtë që ajo përfaqëson mund të përcaktojnë fatin e një njeriu për gjithë jetën. Një kufi që në pamje të parë duket aq i brishtë, sa mund të shqyhet me një lëvizje të vetme, por që në të vërtetë është jashtëzakonisht i vështirë për t’u kapërcyer. Për këtë gjë ne tetovaret jemi shumë të përvojshme.

Foto nga arkivi personal i Mimoza Veliut
Foto nga arkivi personal i Mimoza Veliut

Portalb.mk: Si e keni ndërtuar Tetovën në roman dhe çfarë marrëdhënieje ka mes qytetit që ruani në kujtesë dhe atij që shfaqet në rrëfim?

Mimoza Veliu: Qytetin që ruaj në kujtesë dhe atë që shoh sot jam përpjekur t’i ndërthur në rrëfim. Në kohën time nuk kishte kaq shumë kazino apo hotele, por kjo nuk do të thotë se lojërat nuk ekzistonin. Ato luheshin edhe atëherë, vetëm se në forma të tjera.

Në thelb, më duket se lojërat kanë mbetur të njëjta. Kanë ndryshuar vetëm mjetet dhe skenat ku zhvillohen. Marrëdhëniet e pushtetit, gjykimet morale dhe mënyra se si shoqëria sillet me më të dobëtit vazhdojnë të jenë të pranishme.

Dhe mjerë ai që gjendet qoftë edhe për një çast në pozitë të pafuqishme.

Prandaj, Tetova e romanit është një përpjekje për të kuptuar çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre viteve dhe çfarë, për fat të keq, ka mbetur e njëjtë.

Portalb.mk: Romani prek kufijtë e padukshëm në kujtime, marrëdhënie dhe zgjedhje personale. Si ndikojnë këta kufij në mënyrën se si personazhet e kuptojnë veten dhe të tjerët?

Mimoza Veliu: Këta kufij bëhen të dukshëm pikërisht përmes ndërveprimit mes personazheve, sidomos në çastet kur ata përballen me bindjet, paragjykimet dhe pritshmëritë e njëri-tjetrit.

Për shembull, në roman kam një kapitull ku një motër dhe një vëlla ballafaqohen rreth një çështjeje private, ndërsa një person i tretë përpiqet të ndërmjetësojë mes tyre. Përmes këtij ballafaqimi dalin në pah jo vetëm këndvështrimet e ndryshme, por edhe kufijtë që secili i ka vendosur vetes dhe të tjerëve, edhe pse janë dy pjesëtarë të së njëjtës familje.

Më intereson veçanërisht mënyra se si njerëzit, edhe kur besojnë se e njohin mirë njëri-tjetrin, mund të jetojnë brenda botëve krejtësisht të ndryshme. Shpesh, vetëm përmes konfliktit arrijnë të kuptojnë sa pak dinë për tjetrin, por edhe për veten.

Ndërsa në raste të tjera ndodh e kundërta: zbulojnë se sa shumë i ngjajnë njëri-tjetrit, edhe kur historitë dhe përvojat e tyre jetësore janë krejtësisht të ndryshme. Personazhet e romanit tim përfaqësojnë vërtet shumë botë të ndryshme, sepse besoj se pikërisht kjo është Tetova në thelbin e saj.

Portalb.mk: Çfarë ka ndryshuar në qasjen tuaj ndaj shkrimit nga romani i parë te i dyti dhe si ka ndikuar përvoja juaj në fotografi në mënyrën e rrëfimit?

Mimoza Veliu: Unë kam një botë të tërë idesh dhe historish që më vlojnë në kokë. Por, duke qenë se jetoj në Berlin mes dy gjuhëve, të cilat vazhdimisht ndërhyjnë te njëra-tjetra, shpesh e kam të vështirë t’i shpreh mendimet ashtu siç i kam në mendje. Për këtë arsye, nuk e kam konsideruar kurrë veten një autore që shkruan bukur.

Megjithatë, nga romani i parë te i dyti kam kuptuar diçka shumë të rëndësishme: se edhe të shkruarit bukur mësohet. Me çdo libër fiton më shumë siguri, mëson t’i besosh zërit tënd dhe të gjesh mënyrën më të mirë për ta treguar një histori.

Fotografia, besoj, ka ndikuar në mënyrën se si i vëzhgoj njerëzit dhe situatat. Ndoshta për këtë arsye, kur shkruaj, shpesh i shoh skenat përpara se t’i kthej në fjalë. Më interesojnë detajet, gjestet dhe ato çaste të vogla që ndonjëherë tregojnë më shumë sesa një dialog i gjatë.

Dhe me këtë rast dua t’i inkurajoj të gjithë ata që kanë histori në kokë, por ngurrojnë t’i hedhin në letër: uluni dhe ngroheni karrigen! Sepse shkrimi është edhe një proces mësimi, ndërsa botimi i një libri përfshin edhe punën e redaktorëve, të cilët ndihmojnë që dorëshkrimi të marrë formën e tij përfundimtare.

Por idetë, shtysën dhe zërin e brendshëm duhet t’i kesh vetë.

Afishja e mbrëmjes letrare “Kufiri prej pëlhure”. Foto: Mimoza Veliu
Afishja e mbrëmjes letrare “Kufiri prej pëlhure”. Foto: Mimoza Veliu