Rruga ‘Ukraina e lirë’ në ‘Dardania e Lirë’, protestuesit në Tiranë brohoritën kundër Zelenskyt pranë ambasadave të Ukrainës dhe Serbisë

Dhjetëra qytetarë protestuan të dielën para ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës në Tiranë. Ata brohoritën kundër presidentit ukrainas Volodimir Zelensky për deklaratat e tij për mosnjohjen e Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Protestuesit qëndruan për disa minuta pranë dy ambasadave të cilat ndodhen pranë njëra-tjetrës. Ata brohoritën kundër Zelenskyt dhe qëndrimit të tij për Kosovën.

Pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Zelensky tha se qëndrimi i Ukrainës për pavarësinë e Kosovës nuk ka ndryshuar. Kjo nënkupton se Ukraina nuk planifikon ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime në Kosovë dhe Shqipëri. Kosova ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën që nga fillimi i luftës.

Protestuesit ndryshuan edhe emrin e rrugës “Ukraina e lirë”. Ata vendosën mbishkrimin “Dardania e lirë” në vend të emrit “Ukraina”. Gjatë protestës u dëgjuan edhe brohoritje “UÇK, UÇK”.

Si reagim ndaj deklaratave të Zelenskyt, të dielën në Prishtinë u hoq edhe flamuri gjigant në qendër të qytetit. Në të shkruhej “Free Ukraine”.