Përmes platformës “Pratenici.mk”, qytetarët do të kenë qasje më të lehtë në të dhënat për punën e Kuvendit
“Pratenici.mk” është platformë e re digjitale që u mundëson qytetarëve, gazetarëve, hulumtuesve dhe organizatave të shoqërisë civile qasje më të lehtë në të dhënat e hapura për punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Paneli interaktiv i shndërron formatet komplekse dhe teknike të të dhënave të hapura të Kuvendit në informacione të qarta dhe lehtësisht të kërkueshme.
Përdoruesit mund të ndjekin pyetjet e deputetëve, aktivitetet e tyre, punën e zyrave për kontakt me qytetarët, si dhe tregues të tjerë që lidhen me punën parlamentare. Të dhënat mund të kërkohen, filtrohen dhe krahasohen.
Nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” thonë se platforma është zhvilluar mbi bazën e të dhënave të hapura të publikuara zyrtarisht nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qëllimi është të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit. Njëkohësisht, platforma synon të tregojë se të dhënat e hapura kanë vlerë të vërtetë vetëm kur janë të kuptueshme dhe të përdorshme për publikun.
“Pratenici.mk është krijuar për këdo që dëshiron të arrijë shpejt dhe lehtë te informacionet relevante për punën e përfaqësuesve të zgjedhur. Paneli interaktiv përdor bazat e të dhënave të hapura të publikuara në portalin open.data të Kuvendit dhe ofron mundësi për përdorimin, kërkimin dhe vizualizimin e tyre në mënyrë të thjeshtë dhe intuitive”, tha Aleksandra Jovevska nga IDSC.
“Pratenici.mk” është zhvilluar në kuadër të projektit “Të dhënat e hapura të Kuvendit në praktikë: Nxitja e pjesëmarrjes qytetare”.
Projekti mbështetet përmes skemës së granteve Digital Spark, në kuadër të projektit Regional Support Mechanism EECA, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të Digital Democracy Initiative (DDI), e cila përfshin vendet e Jugut Global.