Sllaveski: Inflacioni është stabil, rritja e dhjetorit është rezultat i transportit të shtrenjtuar ajror
Inflacioni në vend mbetet nën kontroll pavarësisht rritjes mujore të regjistruar në dhjetor, thotë guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski. Sipas postimit të tij të ndarë në rrjetin social X, rritja statistikore prej 0.4 përqind në bazë mujore është rezultat i rritjes së çmimit të transportit ajror, transmeton Portalb.mk.
Guvernatori Sllaveski shpjegon se nëse përjashtohet kategoria e transportit, ku çmimet u rritën me 5.8 përqind, kryesisht për shkak të rritjes prej 42 përqind të transportit ajror, inflacioni mujor në dhjetor do të ishte saktësisht zero përqind.
“Niveli i çmimeve vendase në dhjetor të vitit të kaluar është i pandryshuar. Transporti ajror është një komponent plotësisht i huaj”, shkroi Sllaveski.
НИВОТО НА ДОМАШНИТЕ ЦЕНИ ВО ДЕКЕМВРИ 2025 ГОДИНА НЕПРОМЕНЕТО
🔹Месечната инфлација во декември 2025 година во споредба со претходниот месец изнесува 0,4%;
🔹Растот се должи исклучиво на растот на цените во категоријата “транспорт” во истиот период за цели 5,8%;
🔹Овој податок е…— Trajko Slaveski (@TSlaveski) January 9, 2026
Kjo, thekson ai, është një sinjal i qartë se inflacioni është i qëndrueshëm dhe se ka baza të mira për ta mbyllur vitin me një normë inflacioni nën tre përqind.
Të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) tregojnë se kostoja e jetesës në vitin 2025 është rritur me 4.1 përqind krahasuar me vitin e kaluar, dhe indeksi i çmimeve me pakicë me 3.6 përqind.
Inflacioni, i matur me indeksin e kostos së jetesës, u rrit me 0.4 përqind në dhjetor të vitit të kaluar krahasuar me muajin paraprak.
Sipas të dhënave nga ESHS-ja, rritja e kostos së jetesës është rezultat i çmimeve më të larta në disa sektorë. Rritja më e ndjeshme në dhjetor krahasuar me muajin paraprak u regjistrua në grupin e transportit, ku pati një rritje prej 5.8 përqind.
Në dhjetor të vitit të kaluar, krahasuar me muajin paraprak, rënie e kostos së jetesës u regjistrua në ushqim dhe pije joalkoolike me 0.4 përqind, dhe në veshje dhe këpucë me 0.2 përqind.