Harxhimet për jetesë në RMV u rritën me 0.4% për një muaj, ndërsa në nivel vjetor janë rritur me 4.1%
Indeksi i kostos së jetesës në dhjetor të vitit të kaluar shënoi rritje vjetore prej 4.1 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, indeksi i çmimeve me pakicë u rrit me 3.7 përqind, sipas raportit të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), transmeton Portalb.mk.
Inflacioni, i matur me indeksin e kostos së jetesës, në dhjetor të vitit të kaluar u rrit me 0.4 përqind krahasuar me muajin e kaluar.
Sipas të dhënave nga ESHS, rritja e kostos së jetesës është rezultat i çmimeve më të larta në disa sektorë. Rritja më e ndjeshme në dhjetor krahasuar me muajin e kaluar u regjistrua në grupin e transportit, ku pati një rritje prej 5.8 përqind.
Përveç transportit, një kontribut të konsiderueshëm në inflacion dhanë edhe rritjet në sektorin e rekreacionit dhe kulturës, të cilat ishin më të larta me 0.8 përqind.
Rritje pati edhe në grupin e shëndetit, të cilat ishin më të larta me 0.7 përqind në dhjetor.
Mobiljet, mallrat shtëpiake dhe mirëmbajtja shtëpiake shënuan një rritje prej 0.5 përqind.
Rritje më të vogla, por prapëseprapë, u regjistruan edhe në grupet e restoranteve dhe hoteleve me 0.4 përqind, banesave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 0.2 përqind. Rritje u regjistrua edhe në pijet alkoolike, duhanin dhe narkotikët me 0.1 përqind.
Në dhjetor të vitit të kaluar, krahasuar me muajin e kaluar, rënie e kostos së jetesës u regjistrua në ushqim dhe pije joalkoolike me 0.4 përqind dhe veshje dhe këpucë me 0.2 përqind.
Enti Shtetëror i Statistikave raporton se kostoja e jetesës në grupet e arsimit dhe komunikimit mbetet në të njëjtin nivel si në muajin e kaluar, pa ndryshime.
Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi gjithashtu se indeksi i çmimeve me pakicë në dhjetor shënoi rritje prej 1.9 përqind krahasuar me muajin e kaluar, dhe në bazë vjetore indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 3.7 përqind.
Megjithatë, në bazë vjetore, rritja më e madhe e çmimeve me pakicë ishte në produktet ushqimore industriale me 5.1 përqind dhe ushqimin me 4.9 përqind.