Sijarto në takimin me Osmanin: Hungaria do t’i kushtojë fokus të rëndësishëm zgjerimit të BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Republikës së Hungarisë, Piter Sijarto, sot më 16 nëntor, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka qëndruar për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Vitin e ardhshëm, në gjysmën e dytë të vitit, Hungaria do të kryesojë BE-në. Pres, si deri më tani, që Hungaria ta mbështesë fuqishëm dhe zëshëm integrimin tonë evropian. Prandaj, duhet të jemi të gjithë të bashkuar për idenë evropiane dhe të sigurohemi që pas kaq vitesh pritje, të mos krijohet më ngërç në procesin e anëtarësimit në BE, në momentin kur ai në fakt po përshpejtohet për shkak të rrethanave gjeopolitike”, deklaroi Osmani.

Ministri Sijarto përcolli bindjen e tij të palëkundur se Hungaria do t’i kushtojë fokus të rëndësishëm zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë kryesimit të ardhshëm hungarez të Këshillit të BE-së dhe do të vazhdojë të jetë një nga mbështetësit më të zëshëm të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Hungaria është partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik i vendit tonë, i cili është ndër 10 partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investitorët e huaj në vend, me prirje rritëse në tregti dhe suficit të vazhdueshëm eksportesh nga ana jonë. Duke përshëndetur kryesimin tonë me OSBE-në, ministri hungarez i Punëve të Jashtme theksoi se Hungaria e vlerëson veçanërisht përkushtimin dhe kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit të OSBE-së”, deklaruan nga MPJ.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, ku bashkërisht u konstatua se po i forcojmë edhe më tej marrëdhëniet e partneritetit dhe përkushtimin reciprok për tejkalimin e sfidave të sigurisë.

Kujtojmë se dje për vizitë zyrtare në vendin tonë ka qëndruar Ministrja e Punëve të Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu, poashtu me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Në fokus të bisedimeve me Ministren e Punëve të Jashtme ishte integrimi evropian, si qëllimi më i rëndësishëm strategjik i vendit tonë, gjatë të cilit u rikonfirmua mbështetja dhe gatishmëria e pahamendshme e Rumanisë për ndihmë konkrete.

Në planin bilateral u shqyrtuan mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit, me qëllim të kultivimit dhe pasurimit të marrëdhënieve tradicionale miqësore dhe të partneritetit midis dy vendeve, të bazuara në besim dhe respekt. Në këtë drejtim, të dy ministrat nënshkruan Protokollin për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe Planin e Veprimit për bashkëpunim ndërmjet ministrive të punëve të jashtme për periudhën 2024-2025.