Pensionistët e RMV-së pas dorëzimit të propozim-ligjit në Kuvend u mblodhën në Tetovë për koordinim, iu duhen 20 deputetë për mbështetje

Bordet inicuese të pensionistëve nga Maqedonia e Veriut pasi dje dorëzuan kërkesën e tyre në Kuvend për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor si dhe Ligjin për sigurime shëndetësore, sot u mblodhën në Tetovë për takimin e katërt koordinues, raporton Portalb.mk.

Pensionistët shpresojnë të marrin mbështetjen e deputetëve për kërkesën e tyre për rritje lineare prej pesë mijë denarëve dhe pensioni minimal të jetë 18 mijë denarë.

Verçe Jançevska, nënkryetare e Bordit Republikan Inicues të pensionistëve theksoi se do fillojnë nismë për të mbledhur 20 nënshkrime nga deputetët të cilët do t’i mbështesin këtë propozim-ligj.

“Së pari do të kërkojmë mbështetjen e të gjithë deputetëve, sepse duam që votimi të jetë publik me ngritjen e dorës për të parë se cilët deputetë na mbështesin dhe cilët jo. Kemi përkrahje të madhe nga VMRO DPMNE, pjesë nga një parti shqiptare”, tha Jançevska.

Pensionistët theksuan se nëse këto propozime pranohen do të ndalojnë protestat.

Kryetari i Bordit Iniciativ Republikan , Dragan Ugrinovski theksoi se presin rezistencë, por sipas tij meqë afrohen zgjedhjet ata presin që të zgjidhen disa punë.

“Me “paketat” e tanishme që duan të japin si masa kundër krizës, dua të përmend se janë paratë tona”, Dragan Ugrinovski.

Pensionistët nga i gjithë vendi pas dorëzimit të propozim-ligjit u mblodhën në Tetovë për tu koordinuar. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Pensionistët nga i gjithë vendi pas dorëzimit të propozim-ligjit u mblodhën në Tetovë për tu koordinuar. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 14 nëntor 2023 miratoi Buxhetin e shtetit për vitin 2024 ku paralajmëruan se janë siguruar mjete për rritje të pensioneve.

“Janë siguruar pensionet dhe rrogat më të mëdha, si dhe 733 milionë euro për investime kapitale”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ministri Fatmir Besimi sqaroi që vetëm për rritjen e pagave janë siguruar 160 milionë euro dhe 170 milionë euro për rritjen e pensioneve.

Pensionistët protestojnë prej në shtator, ndërkaq në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.