Shqiptarët me bishtat e rrenave serbe

Letërsia politike serbe, veçmas ajo nga shekulli XIX e këndej, është fundekrye antishqiptare. Që në zanafillë ajo synoi njollosjen e imazhit tonë para fuqive të mëdha të kohës, të cilat, si përherë, mbajtën anën e më të fortit. E gjendur në pozita më të favorshme, e përkrahur edhe nga aleatët fqinjë të uritur për copa territoresh shqiptare, Serbia bëri çmos që ta pengojë formimin e shtetit shqiptar, nëpërmjet propagandave dhe rrenave të paskrupullta. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi dobësitë, iletet kronike, prapambetjen dhe paaftësinë e shqiptarëve për të mbrojtur si një trup i vetëm tërësinë territoriale të Atdheut, në kohën kur Perandoria Osmane ishte në grahmat e fundit të saj dhe kur fqinjët nëpërka kishin formuar shtetet e tyre.

Ideja për zgjerimin territorial të Serbisë në trojet shqiptare lindi në vitin 1844 me Naçertanien e ish kryetarit të qeverisë serbe, Ilija Garashaninit, i cili kërkoi shfarosjen tonë të plotë nga faqja e dheut. Këtë rrugë ndoqën më pas dhe akademikët tjerë serbë, si: Vladan Gjirgjeviqi, Jovan Cvijiqi, Vasa Çubriloviqi, Ivo Andriqi, Dobrica Qosiqi dhe shumë të tjerë, që na portretuan si: racë inferiore, njerëz me bishta kuajsh, njerëz që flejnë mbi drunj, njerëz pa gjuhë të përbashkët kombëtare, njerëz që flasin një çorbë gjuhësh si jevgjitët, i vetmi komb n’Evropë pa kurrfarë letërsie, të vetmit  n’Evropë  pa një epope kombëtare…

Me këso profka dhe elaborate fashizoide akademikësh e nobelistësh, Serbia justifikoi krimet monstruoze dhe gllabërimin e territoreve shqiptare me metodat më makiaveliste të mundshme. Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet thënë nga del shpirti se ne kemi qenë, herë me vetëdije, herë pa të, ndihmëtarët e politikave hegjemoniste të të tjerëve, të ushtruara ndaj qenies dhe sinoreve tona. Madje nuk kemi marë akoma mësimet e duhura nga e shkuara e trishtë, sepse në kthesat e mëdha historike vazhdojmë të jemi armiku më i madh i vetvetes. Të gjykojmë bashkë disa prej ileteve të shfrytëzuara si armë kundër nesh nga V. Gjorgjeviqi, autori i veprës “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”, sepse pa shërimin e tyre do të sillemi vërdallë shtjellave të rrëmbyeshme të historisë. Jo rastësisht Mustafa Kruja, përkthyesi i veprës në fjalë, para gati një shekulli (1928) shkroi: Armiku detyrën e vet e ka krye. Ndashti asht detyra e jonë me përfitue edhe prej nji vepre të këtillë: me qortue gabimet, me ndrequn të metat e me u lamë para botës nga shpifjet.

Pra, të paktën tani pas një shekulli, duhet:

  • Ta kuptojmë se shenja kryesore e një kombësie është ndërgjegja kombëtare për tërësinë e kombit.
  • Mos ta mohojmë përkatësinë kombëtare të personaliteteve historike si Skënderbeu, për të cilin serbët shpifin se qenka i tyre.
  • Ta kuptojmë se kemi një histori të përbashkët.
  • Ta ruejmë gjuhën si shenjë të rëndësishme të kombit dhe të mos e bëjmë atë çorbë gjuhësh.
  • Të shkollojmë fëmijët në gjuhën e nënës.
  • Të emërtojmë fëmijët me emra të bukur shqip.
  • Të dallojmë kombin nga fisi.
  • Të dallojmë dashamirët nga dashakëqinjtë.
  • Të braktisim gjakmarrjen dhe të mos vritemi vëlla me vëlla.
  • Të braktisim anarkinë si element kryesor të jetës sonë.
  • Të mos marrim vendime të shpejta e të mos kalojmë shpejt nga një afekt në tjetrin.
  • Të respektojmë më shumë gratë.
  • Të mos i braktisim pa nevojë sinoret e të parëve.
  • T’i besojmë dhe ta duam më tepër njëri-tjetrin.
  • Mos t’u besojmë armiqve edhe kur na japin dhurata…

Kur ta bëjmë këtë, profkat dhe rrenat idiote për shqiptarët me bishta që jetojnë nëpër drunj; për shqiptarët pa atdhe, pa komb, pa gjuhë, pa kulturë, pa letërsi, pa folklor, pa histori, pa vetëdije kombëtare; për shqiptarët hajdutë dhe vrasës ordinerë; për shqiptarët inferiorë ndaj të tjerëve; për shqiptarët uzurpatorë të tokave të tjetrit; për shqiptarët e pafe dhe të pa Zot; për shqiptarët e pabesë dhe masha të tjetrit; për shqiptarët e papastër dhe të prapambetur; për shqiptarët e paaftë për të mbajtur shtet…, do të shndërrohen në portrete shëmtaraqe të ideatorëve të tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.