RMV, është publikuar draft-Raporti i Komisionit Evropian për Klasterin e parë – “Vlerat fundamentale”

Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) njoftoi se për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian tashmë ka publikuar dhe dorëzuar një draft raport shqyrtimi për Klasterin e parë “Vlerat fundamentale”, transmeton Portalb.mk.

Vlerësimi i Komisionit në Raport bazohet në informacionin e marrë gjatë skriningut si dhe në dialogun e zhvilluar në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe në Raportet vjetore të Komisionit Evropian që janë pjesë e paketës së zgjerimit.

“Ky është vetëm një draft-raport që ende do të diskutohet dhe miratohet nga vendet anëtare të BE-së dhe vjen në kohën e duhur kur jemi duke punuar intensivisht në hartimin e udhërrëfyesve”, thotë zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq.

Raporti pasqyron gjendjen e vendit dhe drejtimin për reformat e ardhshme që duhet të bëjë Maqedonia e Veriut në fushën e sundimit të ligjit, përkatësisht reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut, si dhe forcimi i funksionimit të institucioneve demokratike dhe reforma në administratën publike, me qëllim plotësimin e kushteve për anëtarësim në Bashkim.

Sekretariati për Çështje Evropiane njoftoi se aktualisht është duke punuar në përkthimin e dokumentit në gjuhën maqedonase, i cili do të publikohet në faqen e tyre zyrtare.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.