KSHPK: Merko të ndiqet penalisht, emëroi drejtoreshë pa arsim të lartë

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në seancën e sotme njoftoi se do të dorëzojë iniciativë në Prokurorinë Themelore Publike të Strugës për ndjekje penale të kryetarit të Komunës së Strugës – Ramiz Merko, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, transmeton Portalb.mk.

Siç theksuan anëtarët e KSHPK-së, Merko në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar dy herë ushtrues detyre – drejtoreshë në një shkolle fillore në Strugë e cila nuk kishte të mbaruar arsimin e lartë dhe as përvojën e nevojshme të punës.

“Kryetari i Komunës së Strugës, në kundërshtim me ligjin, dy herë e ka emëruar për ushtruese të detyrës, drejtoreshë, mësuesen e anglishtes, megjithëse nuk i plotësonte kushtet për të. Gjithashtu, ai nuk e ka obliguar bordin e shkollës që të marrë vendim për shpalljen e thirrjes publike për zgjedhjen e drejtorit të shkollës. E paraqitura, drejtoresha jepte lëndë për të cilat ajo nuk ishte eksperte dhe për të cilat kërkohej arsim i lartë. Ajo kishte katër vjet e tetë muaj përvojë pune, e cila nuk mjafton për t’u emëruar drejtoreshë. Po ashtu, në atë kohë ajo nuk kishte vërtetim për dhënien e provimit për drejtor dhe as bordi i shkollës nuk kishte marrë vendim për shpalljen e thirrjes publike. Të gjitha këto i ka bërë me dokumente zyrtare të falsifikuara. Në të njëjtën kohë, drejtoresha rriti vetë numrin e orëve me një aneks marrëveshje, e cila është në kundërshtim me ligjin. Ish drejtorët e ndihmuan atë në këtë. Me këtë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë falsifikuar dokumentet e punës”, tha anëtari i KSHPK-së, Shemsi Sallai.

Prej aty propozojnë ndjekjen penale të drejtoreshës dhe disa punonjës të tjerë, të cilët e kanë ndihmuar të falsifikonte dokumentet që i duheshin për t’u emëruar në këtë detyrë.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.