“Shkruaj – fshi”: Ujësjellësi dhe Kanalizime tani thotë se do të ketë ujë në Shkup

Pasi u njoftua dje në profilin e “Ujësjellës dhe Kanalizime” në Facebook se pothuajse i gjithë Shkupi do të mbetet pa ujë për shkak të intervenimit të tubacionit kryesor të ujit në Rashçe, ndërmarrja përgënjeshtron informacionin duke pretenduar se “persona të paautorizuar kanë publikuar dhe përhapur informacione të pasakta dhe të pa verifikuara”, transmeton Portalb.mk.

“Fatkeqësisht në rrjetet sociale janë publikuar dhe shpërndarë informata të pasakta dhe të pa verifikuara nga persona të paautorizuar dhe ndaj këtyre personave Ndërmarrja publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” do të ndërmarrë hapat e duhur për përcaktimin e përgjegjësisë për tentativën për të krijuar pasiguri te qytetarët e Qytetit të Shkupit. Nesër të gjitha vendbanimet në Qytetin e Shkupit do të furnizohen plotësisht dhe rregullisht me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftimin e fundit të Ndërmarrjes Publike të Ujësjellës dhe Kanalizime.

Paraprakisht në faqen zyrtare në Facebook të NP Ujësjellës dhe Kanalizime ishte njoftuar se pothuajse të gjitha vendbanimet e Shkupit sot nga ora 17:00 do të përballen me presion të reduktuar apo ndërprerje të ujësjellësit dhe se shkak për ndërprerjen e ujësjellësit është ndërhyrja e tubacioni kryesor i ujit F1600 mm në Rashçe.

NP Vodovod dhe Kanalizim njoftoi se do të preken këto vendbanime: Arnaqia, Saraji, Glumova, Matka e Epërme, Matka e Poshtme, Gjorçe Petrovi, Vllae, Karposhi, Zhdaneci, Nerezi, Qendra, Qendra Klinike, Kisella Voda, Usje, Pintija, Draçeva, Batinca, Studeniçani, Morana, pjesë e Gazi Babës, Çairi, Shkup Veri, Fushë Tophanja, Auto Komanda dhe Aerodromi.

Meta.mk i drejtoi ndërmarrjes pyetje zyrtare se çfarë aktivitetesh janë planifikuar për 11 shkurt 2024 në tubacionin kryesor të ujit në Rashçe.

Për këtë pyetje nuk kemi marrë përgjigje të saktë, por nga NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” na u përgjigjën se cilat komuna nuk do të kenë fare ujë, cilat komuna do të kenë prurje të reduktuar dhe cilat nuk do të kenë fare prurje. Pas marrjes së përgjigjeve, në telefon na thanë të prisnim publikimin e përgjigjes, pasi do të vijojnë informacione të reja.

Disa orë më vonë ka mbërritur njoftimi zyrtar se të gjitha zonat e banuara në Qytetin e Shkupit do të furnizohen plotësisht dhe rregullisht me ujë të pijshëm. Arsyeja e gjithë këtij keqkuptimi mbetet e panjohur, ndonëse në mesin e qytetarëve u krijua panik, ndaj një numër i madh i qytetarëve blenë ujë të pijshëm dhe mbushën legenët me ujë për të pasur gjatë ditës.