Përpjekje për një narrativë të re ruse

Në dy shekujt e fundit Ballkani Perëndimor ka qenë rajoni më i trazuar në Evropë. Kanë qenë disa faktorë që kanë kontribuar që Ballkani të jetë një pikë e nxehtë. Faktorët e brendshëm ishin vetë kombet e rajonit me synimet shekullore për formimin e shteteve kombëtare, dhe nga ana tjetër ishin politikat e Fuqive të Mëdha për të fituar ndikim në territoret që ngadalë po dilin jashtë kontrollit të Perandorisë Osmane.

Luftërat për Krimenë (1856-77), në mes Perandorisë Osmane dhe Rusisë rezultuan të ishin një pikë kthese në raportet e Rusisë me popujt e Ballkanit, dhe vendeve të treta. Pas disfatës së Perandorisë Osmane në Krime dhe Sevastipol, imazhi i Rusisë si mbrojtës i botës së krishterë u rrit. Imazhi i Rusisë që mund të çlironte popuj nga sundimet e huaja pësoi një rritje me vendosjen e një autoriteti të ri tek popujt ortodoksë. Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia pritnin shumë nga ringjallja e Rusisë në Evropë dhe në Ballkan. Pas vitit 1856 Rusia u përqendrua fuqishëm në hapësirën ortodoks duke vendosur linja të interesit strategjik drejt ngushticave në Detin e Zi dhe në ujërat e ngrohta.

Pasi rënia e Perandorisë Osmane nuk mund të parandalohej, Traktati i Shën Stefanit 1878, i dha një shtyrje të madhe Rusisë drejt zgjerimit të ndikimit në Ballkan duke e mbështetur popullsinë ortodokse për pavarësi dhe luftëra të reja. Rusia asnjëherë nuk i ka manifestuar hapur ambiciet e saja, ajo zhvillonte një diplomaci që dukej se mundësonte një zgjidhje për popujt, por në fakt ishte e kundërta. Me Kongresin e Berlinit të qershorit të 1878-ës u definuan qartë sferat e ndikimit jo vetëm rus në Ballkan, por edhe të forcimit të shteteve që do të pranonin në një farë shkalle politikat ruse. Viti 1917-18 solli ndryshime të mëdha në Rusi. Pas vdekjes së Leninit, Stalini kishte synime jo vetëm në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Ballkani vazhdoi të mbetej pjesë e interesit të politikës së jashtme ruse, duke vazhduar pas Luftës së Dytë Botërore dhe natyrisht pas rënies së Murit të Berlinit. Historikisht kanë ndikuar disa faktorë në politikën e jashtme të Rusisë në Ballkan. Si faktor pozitiv është konsideruar forca e Moskës për të mos qëndruar jashtë Ballkanit. Dhe ka qenë pikërisht vullneti rus për të ndihmuar shtetet e Ballkanit për t’i “tejkaluar” vështirësitë në rrugën drejt BE-së. Më tej ka qenë popullata ortodokse e cila historikisht ka qenë pjesë e botës së njëjtë, dhe supozimi se Rusia mund të ketë sukses më të madh se Perëndimi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes shteteve në Ballkanit.

Gjithnjë sipas Moskës, Rusia ka fituar një imazh të respektueshëm në Ballkan dhe në Evropën Lindore si dikur Perandoria ruse pa pasur nevojë për ndonjë përpjekje të madhe financiare dhe politike. Nga ana tjetër, përderisa SHBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë të njohura objektivat e tyre rreth integrimit të shteteve të rajonit në BE, Rusia thotë se ka një mungesë të të kuptuarit të qëllimeve të vërteta të Moskës si në Ukrainë dhe në Ballkan. Sipas Rusisë, ”propaganda e SHBA-së dhe BE-së e ka etiketuar Rusinë si shkatërruese të rendit dhe të sigurisë”.

“Etiketimi i Moskës si plan prishës i jep Brukselit një bazë për të ushtruar presion ndaj partnerëve tradicionalë të Rusisë nën maskën e luftimit të një ndikimi të jashtëm”. Po sipas Rusisë, “prirja historike e liderëve ballkanikë për të balancuar midis aktorëve globalë e ka zvogëluar efektin e projekteve ruse që po zbatohen, duke e minimizuar praninë e Rusisë nga pikëpamja e ”fuqisë së butë””. Më tej Rusia ka një qëndrim justifikues, ku sipas Kremlinit SHBA-ja dhe BE-ja kanë një politikë të njëjtë për çështjen e integrimit të Ballkanit në BE.

Po sipas Moskës, Uashingtoni dhe Brukseli nuk kanë lënë hapësirë për të diskutuar format tjera të bashkëpunimit të shteteve ballkanike me Rusinë, përjashtuar këtu Serbinë. Moska zyrtare vazhdon t’i mbajë nën presion shtetet e Ballkanit e me supozimin se situata do të përkeqësohet poqese Rusia heq dorë plotësisht nga rajoni. Nëse Ballkani përfundimisht kalon në sferën e ndikimit euroatlantik, sipas Moskës “do të lëkunden disa balanca të vendosura gjatë Konferencës së Jaltës së vitit 1945”.

“Rusia duhet të zhvillojë një strategji të re për Evropën Juglindore. Ajo duhet të jetë e qartë për rajonin dhe aktorët e lidhur me të, dhe gjithashtu duhet të jetë pragmatike dhe me kosto të ulët në një mënyrë të re të ndikimit dhe shpërndarjes së narrativës publike”- thuhet në një material të publikuar në MPJ-në e Federatës ruse. Sipas Rusisë një politikë e re do të krijonte “premisa për një afrim të bazuar në bashkëpunim me Kinën dhe Turqinë, të cilat  poashtu kanë interesat e tyre në Evropën Juglindore”. Narrativa tjetër është se në strategjinë ruse vazhdon të forcohet qëndrimi se Moska mund të ruajë rolin e një faktori stabilizues në Ballkan, duke u bazuar në rrënjët historike të ndikimit në fillim të shekullit XVIII, XIX dhe XX.

Një narrativë tjetër që nuk lidhet me realitetin, është se Rusia edhe pse me kapacitete të kufizuara mundohet me propagandën e saj të paraqitet si faktor “paqebërës”. Këtu bën pjesë roli mediave pro ruse në luftën e tyre për të zëvendësuar narrativën aktuale ruse me një fytyrë tjetër atë të aktorit bashkëpunues humanitar ndërkombëtar, dhe të një shteti që ka për qëllim zgjidhjen e konflikteve rajonale. Sipas Rusisë, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, në narrativën e re duhet të përfshihen edhe kompanitë ruse bashkë me rolin pozitiv sipas Moskës të Kishës Ortodokse.

Përpjekjet për një narrativë të re ruse do të vazhdojnë në Serbi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë dhe në Mal të Zi, pa përjashtuar edhe mediat shqiptare që kanë burime të paqarta. Narrativa e re ruse vazhdon të paraqitet për habi edhe në disa media amerikane online nga komentatorë amerikanë. Së fundi ishte intervista e gazetarit Tucker Carlson me presidentin rus Vlladimir Putin në Moskë në rrjetin X, ku për herë të parë audienca perëndimore dhe më gjërë pati mundësi të njihej me disa qëndrime të reja të Putinit. Kjo mund të konsiderohet si një fillim i ri i lojës së Rusisë me një shtresë të re të propagandës për të vendosur Rusinë në një pozicion më të mirë global e rajonal, e së këndejmi nga një shtet agresor në një shtet që promovon paqen dhe mirëkuptimin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.