Shfuqizimi i nenit 23, zhbën shqipen në Maqedoninë e Veriut, alarmoi gjykatësi Kadriu
Nëse shfuqizohet neni 23 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe zhbëhet. Kështu deklaroi Gjykatësi Kushtetues, Osman Kadriu në intervistën për Alsat, duke sqaruar se pikat 4 dhe 5 të këtij neni, shërbejnë për harmonizimin e këtij ligji me ligjet tjera.
-Në qoftë se abrogohen këto dispozita atëherë gjuha shqipe e humb atributin të jetë gjuhë zyrtare në shtet.
– Që do të thotë zotëri Kadriu, që t’ia sqarojmë dhe opinionit. Shfuqizimi i këtyre pjesëve të nenit 23 e zhbën Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve?”
– Sigurisht. Vjen në pyetje në tërësi ligji, se ne do të kishim vetëm përdorim gjysmak të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, ndërsa përdorimi gjysmak nuk nënkupton gjuhë zyrtare në shtet” deklaroi Gjykatësi Kushtetues, Osman Kadriu.
Kadriu kundërshtoi deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski i cili tha se nëse vendoset Badinter në Gjykatë apo shumicë E dyfishtë, atëherë duhet t’i vendoset çelësi Kushtetueses. Sipas Osmanit nëse Gjykata vepron ndaj lëndëve siç ka vepruar më herët, atëherë gjykatës duhet t’i vendoset çelësi.
“Nuk mbyllet gjykata siç deklaron kolegu Darko se në qoftë se vendoset Badinteri në Gjykatën Kushtetuese, atëherë lirisht ne mund ta mbyllim, t’i vëmë çelësin. E kundërta, çelësi do t’i vendoset nëse Gjykata Kushtetuese vendos në mënyrë siç i ka vendosur për disa çështje konkrete”, nënvizoi ai.
Kadriu u bëri thirrje partive politike shqiptare që të bëjnë presion për hapjen e Kushtetutës rreth çështjeve në interes për shqiptarët.
Ndryshe, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, më 8 prill foli për disa çështje aktuale që kanë të bëjnë me punën e Gjykatës. Duke folur për çështjen që Gjykata Kushtetuese e ka ngritur në lidhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Kostadinovski vlerësoi se në publik po krijohen frikëra dhe tensione politike të pabaza. Ai tha se Gjykata nuk ka për qëllim t’i kufizojë të drejtat, por, përkundrazi, të kontribuojë në mbrojtjen dhe promovimin e tyre.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut periudhën e fundit janë aktualizuar çështjet etnike, nisur nga shfuqizimi i ‘Balancuesit’, kontestimi i Ligjit të gjuhëve, mohimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, dygjuhësia e sistemit ‘Qyteti i Sigurt‘ dhe të tjera. Këto kanë hapur debat të gjerë në dhe përplasje të ashpra midis partive opozitare dhe atyre në pushtet.
Debati mbi statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore mbetet i hapur, ndërsa interpretimet e ndryshme të dispozitave kushtetuese vijojnë të nxisin reagime politike. Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 dhe neni 5 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Gjykata Kushtetuese ndodhet përpara një vendimi të rëndësishëm, nëse do ta mbrojë pavarësinë e garantuar me Kushtetutë të Prokurorisë Publike apo do të lejojë cenimin e parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, përmes ndryshimeve ligjore te Ligji për pagat e prokurorëve publikë.
Gjykata Kushtetuese më 24 dhjetor 2025 nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit për pagat e gjyqtarëve, ndërsa Kuvendi më 25 shkurt 2026, miratoi ligj të ri për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve, me të cilin sërish u ulën koeficientët për llogaritjen e pagave.