Debati për pagat: Prokurorët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë mbrojtje nga veprimet arbitrare

Gjykata Kushtetuese ndodhet përpara një vendimi të rëndësishëm, nëse do ta mbrojë pavarësinë e garantuar me Kushtetutë të Prokurorisë Publike apo do të lejojë cenimin e parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Kjo ndër të tjera thuhet në reagimin e prokurorëve publikë pas diskutimit të pardjeshëm në Gjykatën Kushtetuese. Për shkak të votimit të ndarë të gjyqtarëve kushtetues, nuk u arrit të merret një qëndrim i qartë nëse duhet të hapet procedurë për vlerësimin e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për pagat e prokurorëve publikë, transmeton Portalb.mk.

Pakënaqësia u rrit pasi deputetët në fund të shkurtit miratuan ndryshime në Ligjin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilave reaguan shoqatat e tyre.

Me uljen e koeficientëve për llogaritjen e pagave, pagat zvogëlohen, gjë që sipas prokurorëve është jokushtetuese dhe përbën presion ekonomik ndaj pavarësisë së tyre.

Sipas tyre, është e pakuptueshme që disa gjyqtarë kushtetues mendojnë se prokuroria “nuk ka pavarësi të natyrshme”.

“I vetmi term‘organ shtetëror i pavarur’ është kualifikim i qartë kushtetues që përjashton çdo nënshtrim organizativ apo tjetër të prokurorisë ndaj cilitdo nga tre pushtetet e tjera. Për këtë ekzistojnë garanci të qarta ligjore dhe institucionale që krijojnë mekanizma për të siguruar autonominë profesionale të shërbimit të prokurorisë dhe për të parandaluar ndikimin politik apo tjetër në funksionimin e tij”, thuhet në reagim.

Sipas prokurorëve, Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ta parandalojë pikërisht këtë. Ata paralajmërojnë se mendimet e ndara të gjyqtarëve krijojnë rrezik për një goditje të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë financiare të prokurorisë dhe e vendosin funksionin e prokurorit publik në pozitë të nënshtruar ndaj pushteteve të tjera.

Si argument shtesë, ata përmendin “Manualin e UNODC për statusin dhe rolin e prokurorëve publikë”, dokument zyrtar i OKB-së, ku theksohet se pagat dhe përfitimet e prokurorëve nuk duhet të ulen në mënyrë arbitrare.

Ata gjithashtu i referohen edhe mendimit të Komisionit të Venecias të datës 3 janar 2011.

Në të njëjtin kontekst ata i referohen edhe Kartës së Romës të Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Publikë Evropianë (Opinioni nr. 9 i 17 dhjetorit 2014), si dhe opinionit të këtij këshilli të 29 tetorit 2024.

Për standardet ndërkombëtare foli edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në podkastin “Ku janë paratë”, por ai e vuri theksin te gjyqtarët.

“Duke iu referuar këtyre standardeve ndërkombëtare dhe pavarësisë së gjyqtarëve, jam që pagat e tyre të mos ulen. Por, përsëri them, ata duhet ta marrin përgjegjësinë e tyre dhe të gjejnë mënyrë të përballen me ata të ashtuquajtur gjyqtarë që e njollosin reputacionin e gjithë profesionit”, tha Kostadinovski.

Ai shtoi se besimi i ulët në gjyqësor nuk është krijuar brenda natës dhe se dy pushtetet e tjera nuk mund të shmangin përgjegjësinë.

Gjykata Kushtetuese më 24 dhjetor 2025 nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit për pagat e gjyqtarëve nga dhjetori 2024 dhe i dha Kuvendit afat prej 30 ditësh për të dhënë mendim për ligjin e kontestuar. Kuvendi nuk dha përgjigje brenda afatit dhe ndërkohë, më 25 shkurt 2026, miratoi ligj të ri për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve, me të cilin sërish u ulën koeficientët për llogaritjen e pagave.

Gjykata e ndërpreu procedurën për ligjin e vitit 2024 dhe, me iniciativë të vet, nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të ri, me të cilin sërish janë ulur koeficientët e pagave të gjyqtarëve.