Flamujt e ndaluar me diellin e Vergjines në Tetovë: Komuna nuk merr përgjegjësi, në polici asnjë raportim
Komuna e Tetovës nuk merr përgjegjësi për vendosjen e flamujve me diellin e Vergjines nëpër rrugët e qytetit, flamur ky i cili është i ndaluar sipas Marrëveshjes së Prespës, ndërsa në polici nuk është raportuar asnjë rast, shkruan Portalb.mk.
I pyetur nëse Komuna e Tetovës është njoftuar për këto raste dhe pse nuk ka reaguar që të njëjtët të largohen, kreu i qytetit, Bilall Kasami tha se nuk janë përgjegjës.
“Komuna ka përgjegjësi për flamujt që i vendos komuna, ne nuk i kemi vendosur ato flamuj. Përgjegjësia është e institucioneve tjera që të merren me identifikimin e personave dhe marrjen e masave… Nuk jemi ne, është policia e cila duhet të identifikojë çdo shkelje”, tha Kasami.
Nga ana tjetër, nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë njoftuan për Portalb.mk se deri te ata nuk është paraqitur ndonjë rast lidhur me vendosjen e flamujve me diellin e Vergjines, andaj edhe nuk kanë vepruar.
Me rastin e 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, nëpër rrugët e qytetit krahas flamurit shtetëror, u vendos edhe flamuri me diellin e Vergjinës.
Nuk dihet se kush qëndron prapa këtij veprimi.
Fotografi nga vendosja e këtrye flamujve në qytet shpërndau këshilltari komunal nga VMRO-DPMNE, Angell Karapetrov.
Lidhur me këtë rast reagoi këshilltari komunal i Lidhjes Shqiptare, Arlind Murtezani i cli tha se Komuna e Tetovës e anashkalon flamurin Shqiptar, që ligji e obligon, ndërsa e lejon flamurin me diellin e Vegjinës me 16 rreze, që Marrëveshja e Prespës e ndalon.
- LEXO: Në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës flamuri me diellin e Vergjinës valon nëpër rrugët e Tetovës
Kujtojmë se periudhën e fundit flamuri me diellin e Vergjinës është përdorur në disa hapsira publike dhe ngjarje partiake për të cilat Portalb.mk ka raportuar. Ky flamur ishte ngritur përballë Gjykatës në Kumanovë, më pas deputetja e VMRO-DPMNE-së Dragana Bojkovska mbajti tubim partiak ku në mur shihej harta e “Maqedonisë së Madhe”, e ngjyrosur me diellin e Vergjinës. Ky flamur vazhdon të valojë edhe në vendbanime tjera të banuara kryesisht me popullatë maqedonase.
Detyrimi ligjor për mospërdorimin e ish flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, me diellin e Vergjinës në mes, del nga neni 8 paragrafi 3 i Marrëveshjes së Prespës, i cili thotë:
“Pala e dytë nuk do ta përdorë përsëri në çfarëdo lloj mënyre dhe në çfarëdo lloj forme simbolin e paraqitur në flamurin e saj shtetëror. Në afat prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Pala e dytë do ta nisë procedurën për heqjen e simbolit të paraqitur në flamurin e saj të mëparshëm shtetëror nga të gjitha vendet publike dhe nga përdorimi publik në territorin e sajë. Artefaktet arkeologjike nuk janë të përfshira në këtë dispozitë”.
Marrëveshja e Prespës, në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, është nënshkruar më 17 qershor 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e liqenit të Prespës në anën greke.
Kujtojmë se, Marrëveshja e Prespës, i ka dhënë fund një kontesti plot 27 vjeçar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kontest që vendin tonë e ka penguar në rrugëtimin euroatlantik për afro tre dekada, pasi që Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit të Maqedonisë janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni.
- LEXO: Flamuri i ndaluar dhe harta provokuese: VMRO-DPMNE i kthehet simboleve që nxisin tensione me fqinjët, a po përgatisin kthim në të kaluarën?
- LEXO: Deputetja e VMRO-së “harron” fqinjësinë e mirë, me hartën e ‘Maqedonisë së Madhe’ dhe diellin e Virgjinës mban takim partiak
- LEXO: Në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës flamuri me diellin e Vergjinës valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës (FOTO)