SHEKULLI I CEKTËSISË

Piktori belg, René François Magritte (1898–1967), thoshte se veprat e tij nuk duhej të interpretoheshin, por vetëm të shiheshin. Megjithatë, ato ngjallën interpretime të shumta, sidomos piktura “Të dashuruarit”.

Disa kritikë të artit pamorë thanë se kjo pikturë ndërlidhej me fëmijërinë e piktorit, sepse, kur ishte trembëdhjetë vjeç, ai pa trupin e nënës së mbytur në lum, të cilës fytyrën ia kishin mbuluar me një pëlhurë të bardhë.

Kritikë të tjerë thanë se piktura e paraqet simbolikisht se “dashuria është e verbër”; se është metaforë mbi humbjen e arsyes nga dashuria; se e paraqet artistikisht vetminë dhe tjetërsimin…

Po ta shihnim pikturën në kohën e pandemisë, pa pasur njohuri për autorin dhe kohën e krijimit të saj, mbase do ta titullonim: “Dashuri në kohë pandemie”, sepse pëlhurat e bardha mbi fytyrat e dy njerëzve duken si maska. Estetët thonë se në receptimin e një vepre artistike ndërhyn shija e epokës.

Në një krijim tjetër të Magritte-it kemi një llullë përfundi së cilës është shkruar: “Kjo nuk është llullë”. Është vetëm imazhi i llullës. Është realitet i përfytyruar, realitet simbolik. Magritte mendonte se objekti mund të duket real, por shikuesit e perceptojnë vetëm imazhin. Objekti mund të jetë edhe i dobishëm, kurse imazhi mund të jetë i bukur. Kanti e përkufizoi të bukurën si diçka që e duam pa pasur interes. Llulla e pikturuar nuk na shërben për nevoja utilitare.

Qasja e Magritte-it i përshtatet kohës sonë, kur fshihet kufiri dallues ndërmjet realitetit dhe shajnisë.

Magritte-i u përball me krizë financiare, por sot krijimet e tij shiten me çmime marramendëse.

Blerësit nuk mahniten nga vlerat artistike. Për ata janë të vlefshme vetëm gjërat e shtrenjta. Pasi nuk dinë të flasin për vlerën e një vepre artistike, ata mburren me çmimin e tyre. Besojnë se edhe një banane e ngjitur në mur mund të jetë vepër gjeniale, vetëm pse kushton shtrenjtë. Ata që jetojnë me artin e dinë se kjo është marrëzi që e ka pushtuar shekullin tonë, ku triumfon cektësia mendore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.