Sela: Taravari u shkarkua me 591 vota, kryetar i ASh-së u zgjodha unë

Kongresi i Alenacës për Shqiptarët, thirru nga Ziadin Sela në Kuvendin e partisë me 10 shkurt, ka shkarkuar Arben Taravarin nga funksioni i kryetarit të partisë me 591 vota delegatësh, tha Ziadin Sela në konferencën për media pas përfundimit të Kongresit. Sipas tij, tani, kryetar legjitim dhe moral i partisë është vetë ai, ndërsa për sa i përket legalitetit, atë do ta vendosin organet gjyqësore, transmeton Portalb.mk

Sot në këtë Kongres të jashtëzakonshëm të thirrur sipas çdo norme statutore Kongresi vendosi që të vë para përgjegjësisë, tashmë ish-kryetarin e partisë dhe me votë unanime u vendos që të shkarkohet kryteari i partisë, z. Arben Taravari. Natyrisht në kto situata partia nuk do të rrijë pa u udhëhequr nga dikush, pas çka unë garova dhe mora besimin nga grupi kryesor i ASh-së, nga delegatët e saj, për të udhëhequr përsëri ASh-në dhe unë ju siguroj që do ta udhëheq ashtu siç e kam udhëhequr, me ndershmëri, me transparencë, me dinjitet, çdoherë i gatshëm të bisedoj dhe të bashkëbusedoj me anëtarësinë”, tha Sela.

I pyetur nga gazetarët se kush është tani kryetar i partisë, ai apo Taravari apo kush kë ka shkarkuar, Sela tha se ai është kryetar moral dhe legjitim, ndërsa për pjesën legale, do ta vendosin organet gjyqësore.

“Sipas kongresit, kryetar legjitim i ASh-së është ai që kanë vendos delegatët sot. Dhe, unë jam kryetar i ASh-së, unë jam themelues i këtij subjekti politik bashkë me aktivistët dhe anëtarët e ASh-së dhe nuk e di kush ka të drejtën morale ta kontestojë këtë, ndërsa në aspektin legal do të vendosin gjykatat”, tha Sela.

Paraprakisht, Kongres të jashtëzakonshëm thirri me 16 shkurt edhe Arben Taravari, ku me 421 delegatë të pranishëm u miratua kandidatura e tij për President të Maqedonisë së Veriut. Delegatët shfuqizuan mbledhjen e dytë të Kuvendit të partisë e mbajtur më 10 shkurt nga Ziadin Sela, dhe ai u hoq nga pozita Kryesia e ngushtë e partisë.

Në Kuvend janë shfuqizuar edhe vendimet nga mbledhja e  dytë e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët për shkak “të shkeljeve të shumta statutare dhe jolegjimitetit të mbledhjes” dhe për këtë ata paralajmëruan padi penale.

Kujtojmë se Arben Taravari dhe  Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.