Kongresi i ASH-së i thirrur nga Taravari e miratoi kandidaturën e tij për president të RMV-së, ndryshoi Statutin partiak

Në Kongresin e katërt të Jashtëzakonshëm në Shkup të thirrur nga Arben Taravari, me 421 delegatë të pranishëm u miratua kandidatura e tij për President të Maqedonisë së Veriut. Delegatët shfuqizuan mbledhjen e dytë të Kuvendit të partisë e mbajtur më 10 shkurt nga Ziadin Sela, dhe ai u hoq nga pozita Kryesia e ngushtë e partisë, shkruan Portalb.mk.

Aleanca për Shqiptarët në orët e pasdites mbajti Kongresin e katërt të Jashtëzakonshëm të partisë, Kongres i thirrur nga kryetari i kësaj partie, Arben Taravari. Në rend dite në Kongres ishin miratimi i kandidaturës për president të kryetarit të partisë, Arben Taravari-t, shfuqizimi i mbledhjes së dytë të Kuvendit të partisë të mbajtur në Shkup më 10 shkurt 2024 nga Ziadin Sela dhe plotësim ndryshime statutare.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i ASH-së, Blerant Ramadani tha se në Kongres ka pasur të pranishëm 421 delegatë  dhe se të gjitha pikat në rendin e ditës kaluan me votim unanim përveç të pikës së parë, gjegjësisht kandidaturës për President të RMV-së, Taravarit e cila ka pasur një votë të përmbajtur.

“Siç e dini në rrethana të jashtëzakonshme duhet të merren vendime të cilat në përgjithësi janë në interes të qytetarëve, sot ishit prezent në mbajtjen e Kuvendit të katërt të jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët, ku prej gjithsej 739 delegatëve në nivel republikan 421 delegatë ishin prezent. Si pika kryesore në rendin e ditës ishin miratimi i kandidaturës për president të kryetarit të partisë, zotëri Arben Taravari-t, shfuqizimi i mbledhjes së dytë të Kuvendit të partisë të mbajtur në Shkup më 10 shkurt 2024 dhe plotësim ndryshime statutare.  Vlen të theksohet se të tre pikat në rendin e ditës kaluan me votim unanime prej 421 votave pro, përveç pikës së parë e cila kishte një votë të përmbajtur”, tha Blerant Ramadani, zëdhënës i ASH-së në konferencë për media.

Në Kuvend janë shfuqizuar edhe vendimet nga mbledhja e  dytë e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët për shkak “të shkeljeve të shumta statutare dhe jolegjimitetit të mbledhjes” dhe për këtë ata paralajmëruan padi penale.

“U shfuqizuan vendimet e mbledhjes jolegjitime të Kuvendit të Partisë, mbajtur më 10 shkurt 2024, pasi që e njëjta u karakterizua me shkelje të shumta statutare, manipulime dhe falsifikime tanimë të faktuara, për të cilat sot Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi ngritjen e një padie penale ndaj abuzuesve” njoftuan nga partia.

Nga atje shtuan se është miratuar edhe ndryshimi i statutit të Aleancës për Shqiptarët dhe është rikthyer versioni paraprak i statutit duke e hequr Kryesinë e ngushtë të partisë nga pozita.

“U miratua ndryshimi i statutit të Aleancës për Shqiptarët, duke shfuqizuar ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin III të jashtëzakonshëm mbajtur më 24 dhjetor 2022, dhe duke rikthyer versionin paraprak të statutit, miratuar më 27 mars 2022 në Kongresin II të Partisë, me synim të eliminimit të disfunksionaliteteve në vendimmarrjen partiake. Një nga implikimet imediate të këtyre ndryshimeve është heqja e pozitës së Kryetarit të Kuvendit dhe të kompetencave të organit të njohur paraprakisht si Kryesia e ngushtë e partisë”, njoftuan nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshe, pasi Ziadin Sela në Kuvendin e partisë, paralajmëroi se me 18 shkurt do të mbahet Kongresi, në të cilin siç tha pritet shkarkimi i Arben Taravarit nga pozita e kryetarit të ASh-së, Taravari nga ana tjetër, e realizoi kongresin në ditën e sotme.

Aleanca për Shqiptarët është e përçarë në dy grupe. Kryetari i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim, në kuadër të këtij bashkëpunimi Taravari ai ka shpallur edhe kandidaturën e tij për president.

Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.