Stacioni i autobusave te Gjykata e Tetovës pas disa muajsh u bë me ulëse adekuate

U deshën disa muaj që stacioni i transportit publik afër Gjykatës së Tetovës të pajiset me ulëse adekuate për stacion autobusësh. Vendi kishte ulëse shtëpiake të sjella nga vetë qytetarët, shkruan Portalb.mk.

Stacioni te Gjykata e Tetovës për disa muaj nuk ishte i pajisur me ulëse adekuate, ndërkaq për të rregulluar këtë, qytetarët sillnin karrige nga shtëpitë e tyre.

Për shembull, kështu dukej ky stacion deri para pak ditësh.

Stacioni te Gjykata e Tetovës me ulëse shtëpiake. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotografuar më 1 gusht 2023)
Stacioni te Gjykata e Tetovës me ulëse shtëpiake. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotografuar më 1 gusht 2023)

Redaksia jonë vazhdimisht, disa herë, për disa muaj ka kërkuar nga ndërmarrja e Transportit Publik “Tetova Transport” se pse në këtë stacion nuk ka të vendosura ulëse adekuate. Të njëjtën gjë bëmë edhe para një jave (7 gusht 2023), por nga atje nuk na u përgjigjën.

Ndërkaq, pas kësaj në terren verifikuam se në këtë stacion janë vendosur ulëset adekuate, ashtu si në pikat tjera të stacioneve në qytet.

Megjithatë, anash tyre ende ishin karriget nga shtëpia.

Stacioni te Gjykata e Tetovës u pajis me ulëse adekuate. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotografuar më 12 gusht 2023)
Stacioni te Gjykata e Tetovës u pajis me ulëse adekuate. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotografuar më 12 gusht 2023)

Këtë problematikë, Portalb.mk e trajtoi në shtator dhe tetor të vitit të kaluar kur në asnjë nga stacionet nuk ishin të instaluara ulëset. Më pas, në dhjetor të vitit të kaluar, ndërmarrja publike “Tetova Transport”, vendosi ulëset në këto stacione. Por, te gjykata, stacioni mbetet pa to. Këtë problematikë e trajtuam edhe në maj të këtij viti, por e njëjta u zgjidh vetëm para një jave.

Nëntë stacionet që qytet u instaluan para rreth tre viteve, ku një stacion i autobusëve ka kushtuar rreth 4,524 euro. Nëntë stacionet e autobusëve ende pa u shfrytëzuar siç duhet, në tetor të vitit 2021 u zëvendësuan me të reja prej xhami.