Dy rusë u arrestuan në Poloni për propagandë për grupin Wagner

Ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, njoftoi se Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (ABW) në bashkëpunim me policinë arrestoi dy shtetas rusë nën pretendimet se kanë bërë propagandë për mercenarët e grupit Wagner, raporton Anadolu.

Kaminski ndau informacionin më të fundit mbi situatën e sigurisë në vend në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter.

Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e sigurisë së brendshme në vend.

“ABW zbuloi dhe arrestoi dy shtetas rusë që shpërndanin materiale propaganduese të mercenarëve të Wagner në Krakov dhe Varshavë,” tha ai.

Ministri Kaminski bëri të ditur se bëhet fjalë për dy persona të cilët ndër të tjera akuzohen edhe për spiunazh.

Prezenca e supozuar e grupit rus Wagner pranë kufirit është një shqetësim shtesë për sigurinë e Polonisë. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, tha më herët se prania e tyre kishte për qëllim destabilizimin e situatës në krahun lindor të NATO-s.