Seanca për dinarin serb përball Kurtin dhe Vuçiç sot në Këshillin e Sigurimit, çfarë pritet të ndodhë?

Albin Kurti ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur me kërkesë të Serbisë, transmeton TCH.

Zyra e tij njoftoi se shefi i ekzekutivit Kosovar shoqërohet edhe nga ministrja e jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila prillin e vitit të kaluar nuk ngurroi t’i kthehej ashpër homologut serb Ivica Dacic në mbledhjen e atëhershme të organit të lartë të OKB-së.

Serbia do të përfaqësohet nga Aleksandër Vuçiç, dhe pritet që sonte në New York për herë të parë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të ketë një përballje Kurti-Vuçiç për çështjen e dinarit.

Kërkesa e Beogradit erdhi pas vendimit të BQK-së për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesat kesh në Kosovë, si dhe për mbylljen e komunave paralele serbe atje. Serbia insiston se vendimi për ndalimin e dinarit është i jashtëligjshëm, dhe e cilësoi atë “vazhdimësi të masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”.

Madje Beogradi shkoi deri aty sa ta përshkruante këtë si një lëvizje që synon “spastrimin etnik dhe zhdukjen e popullatës serbe”. Pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar, Prishtina nuk u zbraps nga vendimi i saj, por Kurti e pranoi se do të nevojitet një periudhe tranzitore per implementimin e vendimit.

Dinari serb është përdorur në zonat me shumicë serbe në Kosovë që nga periudha e pasludftës. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës përmes një sistemi paralel  pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.