Vazhdojnë tensionet dhe përplasjet në Kuvendin e Shqipërisë

Tensionet dhe përplasjet në Kuvendin e Shqipërisë vazhdojnë, pasi edhe në seancën e sotme nuk u zhvilluan diskutimet për projektligjet në rendin e ditës, raporton Anadolu.

Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike (PD) dhe jashtë grupeve parlamentare kanë penguar diskutimet në seancë, duke qëndruar në këmbë, përdorur zhurmues, bllokuar foltoren, duke hedhur letra në sallë dhe duke djegur letra.

Tensionet filluan që para nisjes së seancës, ku pati përplasje në hyrje të sallës së seancave plenare mes punonjësve të Gardës së Shqipërisë dhe disa deputetëve të opozitës të përjashtuar nga punimet e parlamentit për shkak të tensioneve në seancat e kaluara.

Punonjësit e Gardës nuk kanë lejuar të hyjnë në sallë disa deputetë të opozitës të përjashtuar, ndërkohë në drejtim të punonjësve të Gardës dhe punonjësve të Kuvendit është hedhur miell nga deputeti i opozitës, Flamur Noka, i cili nga Kuvendi njihet si deputet jashtë grupeve parlamentare për shkak të përplasjeve të fundit brenda PD-së. Noka aktualisht është përjashtuar nga punimet e parlamentit me 20 ditë për shkak të tensioneve në seancat e kaluara.

Në mes të tensioneve dhe rrëmujës së krijuar u votuan disa projektligje, ndërsa seanca zgjati rreth 22 minuta, duke u mbyllur nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Linidta Nikolla.

Në seancën e sotme u ratifikua marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë për “mbrojtjen shoqërore”, me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua më 2 tetor 2023 në Zagreb, konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të vetë-punësuarit dhe punëdhënësit.

Ndërkohë, ratifikimi i protokollit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë për “forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” nuk është përfshirë në rendin e ditës në seancën e sotme, ndërsa pritet të votohet në seancat e ardhshme pasi të publikohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i 29 janarit që la në fuqi protokollin në fjalë.

Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike (PD) dhe jashtë grupeve parlamentare vazhdojnë bllokimin e diskutimeve në seancat parlamentare dhe komisionet parlamentare, sipas tyre për të kërkuar “respektimin e të drejtave të tyre”.

Qëndrimet e deputetëve të opozitës në seancat e fundit parlamentare janë në vazhdën e tensioneve në Kuvend që në fund të vitit 2023. Seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti u përfshinë nga tensionet pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.