Kompanitë që kanë paguar rregullisht përmes ALTA Bankës mund të vazhdojnë pagesën e pagave

Banka Popullore a bërë një lehtësim tjetër të kushteve për klientët e “ALTA Bankës” SHA Manastir. Me ndryshimin më të fundit të Vendimit për administrim, mundësohet pagesa e pagave, së bashku me pagesën e tatimeve dhe kontributeve përkatëse, për kompanitë që gjatë tre muajve të fundit kanë paguar rregullisht pagat përmes llogarive të pagesave në këtë bankë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo mundësi vlen për kompanitë për të cilat pagesa e pagave përmes “ALTA Bankës” SHA Manastir përbën një praktikë të konsoliduar, përkatësisht për ato që e kanë përdorur vazhdimisht bankën për këtë qëllim edhe gjatë tre muajve para miratimit të vendimit. Gjithashtu, shuma e mjeteve që mund të përdoren nga llogaria e pagesave e kompanisë në “ALTA Bankë” për pagesën e pagave mund të jetë deri në 5 për qind më e lartë se shuma e përgjithshme e pagave të paguara në tetor. Në këtë mënyrë mundësohet vazhdimi i rrjedhave ekzistuese të pagesave dhe përmbushja e detyrimeve ndaj punonjësve dhe shtetit, ndërsa njëkohësisht ruhet kontrolli mbi daljen e mjeteve nga banka”, thonë nga Banka.

Me këtë ndryshim mundësohet gjithashtu që personat fizikë të disponojnë plotësisht me mjetet e reja që u transferohen në llogaritë e tyre në “ALTA Bankë” SHA Manastir, nëse këto mjete vijnë nga llogari pagesash të hapura në banka të tjera dhe te ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave. Kjo do të thotë se qytetarët mund t’i përdorin pa kufizim të shumës mjetet që do t’u transferohen shtesë mbi këtë bazë.

“Banka Popullore po e ndjek me kujdes gjendjen në “ALTA Bankë” SHA Manastir dhe vazhdon t’i përshtatë masat, duke marrë parasysh kushtet e funksionimit të bankës dhe nevojat e klientëve të saj. Me këtë rast, prioritet mbetet mbrojtja e interesave të klientëve dhe lehtësimi gradual i kufizimeve, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin e duhur mbi daljen e mjeteve”, thonë nga Banka Popullore.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.