Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së: nga stagnimi në pasiguri
Tani që zgjedhjet lokale kanë përfunduar, euforia e fitores së madhe të koalicionit në pushtet po i lë dalëngadalë vendin realitetit të hidhur: Maqedonia e Veriut është gjithnjë e më larg rrugës së integrimit evropian. Dhe këtë nuk e thonë më vetëm kritikët e brendshëm, por edhe raporti më i fundit i Komisionit Evropian, i cili e paraqet vendin si një shtet të bllokuar mes premtimeve dhe mungesës së vullnetit për t’i përmbushur ato.
Kur Komisioni Evropian publikoi këtë javë raportet vjetore të zgjerimit, ishte e vështirë të gjendej optimizëm në pjesën që i kushtohet Maqedonisë së Veriut. Dokumenti, i detajuar dhe i saktë, paraqet një tablo të një shteti që qëndron në vend: politikisht i lodhur, institucionalisht i brishtë dhe gjithnjë e më i shkëputur nga fryma e reformave që dikur e bënte pararendës në Ballkanin Perëndimor.
Raporti i sivjetëm është ndër më kritikët që vendi ka marrë në dekadën e fundit. Nuk bëhet fjalë vetëm për mundësi të humbura, por për një diagnozë të stagnimit. Pavarësisht shumicës së gjerë parlamentare që disponon qeveria, shumicë e kualifikuar dhe më se e mjaftueshme për të miratuar ndryshimet kushtetuese të kërkuara për avancimin në rrugën evropiane, asgjë thelbësore nuk ka lëvizur. Premtimet për reforma janë shndërruar në teatër të zgjatur politik, ku ndryshimet kushtetuese, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit mbeten të bllokuara në të njëjtin diskurs që qytetarët e dëgjojnë prej vitesh.
Raporti është i qartë: nuk ka përparim në fushën e gjyqësorit, korrupsioni mbetet “çështje e shqetësimit serioz”, ndërsa ndërhyrjet politike që shprehet përmes resurseve të mangëta vazhdojnë të minojnë pavarësinë e gjyqësorit. Edhe trupi kryesor i antikorrupsionit, Komisioni Shtetëror për Ndalimin e Korrupsionit, dikur simbol i integritetit institucional, është njollosur nga skandale. Reforma në administratën publike mbetet e fragmentuar; vetëqeverisja lokale kërkon ende ndryshime rrënjësore; ndërsa peizazhi mediatik vazhdon të vuajë nga ndikimi politik dhe mungesa e transparencës.
Me pak fjalë, Maqedonia e Veriut ka marrë atë që quhet një raport i klasës C – një paralajmërim se vendi po largohet nga kursi evropian, në vend që t’i afrohet atij.
Në të kundërt, vlerësimi për Shqipërinë tingëllon si një histori suksesi në rajon. Ajo ka hapur pothuajse të gjitha kapitujt e negociatave, duke treguar përparim të qëndrueshëm në shumicën e fushave. Mesazhi nga Brukseli është i qartë: angazhimi dhe besueshmëria ende kanë rëndësi. Vullneti politik, jo justifikimet politike, përcakton shpejtësinë e integrimit.
Tragjedia në Koçan, e cila zbuloi dështime sistemike në zbatimin e standardeve të sigurisë dhe masave kundër korrupsionit, është një kujtesë e dhimbshme se institucionet e dobëta kanë kosto të rënda. Kur mungon mbikëqyrja dhe përgjegjësia shpërndahet, çmimi i korrupsionit nuk është vetëm ekonomik, është edhe në njerëz.
Komisioni Evropian thekson se “bashkëpunimi ndërpartiak është jetik”, por polarizimi politik është bërë realitet i përditshëm. Reformat parlamentare vonohen, emërimet shtyhen dhe vendimet strategjike shmangen. Edhe përmirësimet e kufizuara në digjitalizim dhe administratë nuk mjaftojnë për të zbutur ndjenjën e përgjithshme të ngecjes.
Mesazhi thelbësor i raportit nuk ka të bëjë vetëm me kriteret e paplotësuara për BE-në; ai ka të bëjë me mungesën e drejtimit. Klasës politike në Maqedoninë e Veriut, pas viteve të tëra deklaratash për orientimin evropian, duket se i mungon tashmë bindja, ndoshta edhe dëshira, për sakrificat që kërkon reforma e vërtetë. Nuk është e lehtë të shmanget përshtypja se si qeveria, ashtu edhe një pjesë e qytetarëve, po largohen dita ditës nga projekti evropian, duke u tërhequr drejt zonave të rehatshme politike dhe zhgënjimit kombëtar.
Rikthimi në kursin e integrimit nuk do të jetë i lehtë. Rindërtimi i besueshmërisë, depolitizimi i drejtësisë dhe lufta e sinqertë kundër korrupsionit kërkojnë më shumë se deklarata, kërkojnë guxim. Dhe duket se pikërisht guximi është ajo që mungon më shumë.
Për momentin, mesazhi nga Brukseli është i qartë dhe i ftohtë: Evropa po ecën përpara, ndërsa Maqedonia e Veriut po qëndron në vend.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.