Rritet në 89 numri i viktimave nga zjarret në Hawaii

Është rritur në 89 numri i personave që kanë humbur jetën në zjarret pyjore në Hawaii të SHBA-së, fatkeqësi e cila është regjistruar si zjarret pyjore ku janë shënuar më shumë viktima në 100 vitet e fundit në vend, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të CNN, zyrtarët në rajon mbajtën konferencë për media lidhur me situatën e fundit në zjarret pyjore që vazhdojnë në Ishullin e Madh (Big Island) dhe ishullin Maui.

Guvernatori i Hawaii-t, Josh Green tha se “Tani të gjithë kanë kureshtje se çfarë ka ndodhur sot në terren. Ka patur më shumë vdekje. Numri i të vdekurve është rritur në 89”.

Ai theksoi se presin që numri i viktimave të rritet edhe më tej. “Kjo është fatkeqësia më e madhe që ka përjetuar Hawaii. Janë shkatërruar rreth 2.200 struktura dhe shuma e dëmeve ka arritur në 6 miliardë dollarë”, shtoi Green.

Shefi i policisë në Maui, John Pelletier tha se vetëm 2 nga 89 persona që kanë humbur jetën janë identifikuar.

Lori Moore-Merrell nga shërbimi zjarrfikës tha se humbja e jetëve në Hawaii ka kaluar zjarret në vitin 2018 në Kaliforni ku humbën jetën 85 persona. “Zjarret në Hawaii janë zjarret pyjore ku është përjetuar numri më i madh i vdekjeve në 100 vitet e fundit në SHBA”, tha ajo.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se për shkak të zjarrit shpalli “zonë fatkeqësie” ishullin Maui. Ai premtoi se dëmet e të prekurve nga zjarret do të kompensohen.