RMV, zyrtarët që punojnë në fshehtësi, flasin për transparencë

Shpesh ndodh që zyrtarët qeveritarë në Maqedoninë e Veriut të punojnë në fshehtësi, ndërsa, nëpër panele paraqiten sikur të mos ketë ndodhur asgjë, diskutojnë dhe flasin për transparencë, si vlerë që faktikisht duhet ta sjellin ata nëpër institucionet shtetërore. Rasti i fundit për këtë është ai i zëvendës ministres së Drejtësisë, Viktorija Avramovska Mandiq, së cilës iu drejtua gishti për ndryshimet skandaloze në mënyrë të fshehtë të Kodit Penal. Ajo në një panel diskutimi, ka folur pikërisht për transparencën, gjë që ajo dhe institucioni ku punon, Ministria e Drejtësisë, nuk po e përfillin, shkruan Portalb.mk. 

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq në panelin me temë “Zgjedhja dhe avancimi në institucionet gjyqësore – Përmes transparencës dhe cilësisë më të madhe, të rritet besimi i qytetarëve te gjyqësori” të Konventës Kombëtare të BE-së në RMV-së, theksoi se transparenca është karakteristikë themelore e demokracive moderne dhe se ajo është veçanërisht e rëndësishme në institucionet gjyqësore, pasi promovon efikasitet, përgjegjësi, mbrojtje më të madhe juridike dhe luftë aktive kundër korrupsionit.

“Për të folur për një sistem drejtësie plotësisht të pavarur dhe të paanshëm, duhet të plotësohen dy imperative: zbatimi korrekt i ligjeve dhe zbatimi korrekt i jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nga ana tjetër, transparenca çon në rritjen e efikasitetit dhe promovon besimin në sistemin e drejtësisë. Pikërisht në këtë drejtim që ne japim rezultate të dukshme për të lehtësuar qasjen në drejtësi për qytetarët në sistemin gjyqësor”, tha Mandiq, sikur të mos ishte ajo “i njëjti filtër” përmes së cilës kaluan ndryshimet e Kodit Penal.

Ajo theksoi se transparenca është e rëndësishme edhe për fitimin e legjitimitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo rrjedh drejtpërdrejt nga besimi i qytetarëve që formojnë qëndrime sipas vendimeve gjyqësore dhe procedurave gjyqësore.

Sa i përket ndryshimeve skandaloze të Kodit Penal, me të cilat u ulën dënimet e funksionarëve që kanë kryer krime, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga deklaroi kohë më parë për VOA se zëvendësja e tij, duke shfrytëzuar në mungesë të tij, i ka propozuar ndryshimet, të cilat morën miratimin e qeverisë, iu dorëzuan Kuvendit dhe deputetët i dhanë mbështetje.

Përgatitet Kod i ri Penal

Nga ana tjetër, aktualisht është duke u përgatitur Kod i ri Penal, që sipas presidentit të RMV-së, Stevo Pendarovski, do të përmbajë një nen që do të trajtojë keqpërdorimet.

Nga burime të Ministrisë së Drejtësisë, Portalb.mk, mëson se ky Kod Penal, për dallim nga ai, i cili pësoi ndryshime që u kritikuan edhe nga bashkësia ndërkombëtare, do të jetë krejtësisht i ri dhe do të ketë një “mes të artë”, midis Kodit të vjetër penal dhe atij që u votua më 6 shtator.

Ky Kod, pritet të prezantohet javën që pason, paralajmëroi ministri Krenar Lloga.

“Për t’i dhënë përgjigje meritore të gjithë kësaj, javën që pason unë do të jem bashkë me grupin e punës për të prezantuar Kodin e ri Penal në vend, i cili do të parashikojë shumë vepra të tjera penale lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, por edhe vepra penale të cilat do të precizohen për keqpërdorime të tjera të mundshme, qoftë në aspektin e funksionimit të shtetit të së drejtës, por edhe vepra kriminale që lidhen edhe me teknologjinë informative, cybercrime, dhe gjëra të tjera të ngjashme”, deklaroi Lloga.

Kohë më parë, më 9 tetor, Grupi Blueprint, i organizatave civile për reforma në drejtësi, njoftoi se janë tërhequr nga procesi i hartimit të Kodit të ri Penal. Arsyeja kryesore për tërheqjen e tyre nga procesi janë ndryshimet e fundit të Kodit Penal  të propozuara nga Qeveria, të cilat u miratuan më 6 shtator të këtij viti pa mos u konsultuar fillimisht.

“Arsyeja kryesore e tërheqjes sonë janë ndryshimet e Kodit Penal, caktuar më 6 shtator 2023, të cilat janë propozuar nga Qeveria e Maqedonisë të Veriut. Procedura në të cilën janë miratuar këto amendamente dhe përmbajtja e tre neneve kyçe kundër korrupsionit janë krejtësisht në kundërshtim me ligjin. Ndryshimet në tri veprat penale  janë miratuar duke anashkaluar dhe pa mos u konsultuar me grupin punues i cili punon në Kodin e ri Penal, pa konsultim adekuat me publikun, si dhe pa analizë dhe vlerësim paraprak të nevojës të ndryshimeve të Kodit Penal”, tha grupi Blueprint.

Ata gjithashtu deklaruan se kjo procedurë është keqpërdorim i ligjeve evropiane dhe se duke ulur dënimet e tre neneve kyçe për luftën kundër krimit të lartë dhe korrupsionit legjitimizoi mosndëshkimin  të zyrtarëve dhe funksionarëve publik. Sipas tyre, këto ndryshime në Kodin Penal e shtynë publikun që mos u besojnë institucioneve.

“Në një situatë dhe gjendje të tillë, jemi dëshmitarë të një keqpërdorimi të pacipë të të ashtuquajturit Flamuri Evropian, ligjit evropian dhe politikave penale brenda këtyre kornizave. Përpjekja e suksesshme për të ndryshuar dhe ulur dënimet e tre neneve kyçe për luftën kundër krimit të lartë dhe korrupsionit legjitimoi mosndëshkimin kronik të zyrtarëve të lartë dhe mbajtësve të funksioneve publike. Politika e re, në vend që të rikthejë besimin e qytetarëve tek organet legjislative dhe ekzekutive, ndikon edhe më shumë drejt cenimit të tij, duke i dërguar një mesazh të qartë qytetarit të thjeshtë se “paguan dy herë”, thanë nga grupi Blueprint.

Grupi Bluprint për reforma në drejtësi, konferencë për media
Grupi Bluprint për reforma në drejtësi, foto nga profili zyrtar i Shoqatës për juristë të rinjë nga Maqedonia

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Këto ndryshime i kritikoi edhe bashkësia ndërkombëtare, sektori civil, mediat, opozita, megjithatë zëri i të gjithëve, ra në vesh të shurdhër.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.