Gjysma e mandatit ka kaluar, banorët e Veleshtës në pritje që Merko t’i finalizojë premtimet për kanalizimin dhe ujësjellësin

Edhe pse u premtua gjatë zgjedhjeve lokale, në fshatin Veleshtë të Strugës ende nuk është përfunduar ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimi i rezervuarit të ujit, si dy ndër nevojat më të rëndësishme të banorëve lokalë. Të pambaruara vazhdojnë të mbeten edhe disa premtime tjera elektorale për këtë fshat. Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam për këto premtime në fshatin Veleshtë, Portalb.mk konkludon se të njëjtat nuk janë realizuara deri më tani, shkruan Portalb.mk.

Screenshot nga Programi Zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën
Screenshot nga Programi Zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën

Gjatë fushatës parazgjedhore, kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramis Merko, bëri një sërë premtimesh për elektoratin e fshatit Veleshtë. Në programin zgjedhor Agjenda e Blertë (faqe 63), në kategorinë  “Investime të parapara nëpër fshatra”, janë radhitur disa nga premtimet kryesore për një nga fshatrat më të mëdha në Komunën e Strugës, mes tjerash premtohet: “Ndërtimi i rezervuarit dhe rrjetit të ujësjellësit, ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve dytësore brenda fshatit, ndërtimi i rrjetit të kanalizimit, ndërtimi i këndeve me lojëra për fëmijët dhe ndërtimi i sallës sportive në kuadër të shkollës”. Sikurse për të gjitha premtimet tjera, as për këto zotime nuk janë dhënë detaje konkrete apo afate realizimi.

Duke e inspektuar situatën në terren, nga bashkëbisedimi me banorët lokal dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Lokale të fshatit Veleshtë mundet të konstatohet se disa nga premtimet zgjedhore të bëra në zgjedhjet lokale të vitit 2021 si projekte kanë filluar vite më parë, por që akoma nuk janë finalizuar. Theksojmë që tanimë gjysma e mandatit të Merkos ka kaluar.

Sa i përket premtimit për ndërtimin e rezervuarit dhe rrjetit të ujësjellësit, mundet të thuhet se është i realizuar pjesërisht. Nga Komuna e Strugës më 5 nëntor 2022 njoftuan inagurimin e gypave të ri në Veleshtë megjithatë projekti nuk është i përfunduar në tërësi.

“Për këtë projekt në nëntor të vitit të kaluar është bërë përurimi i ndërtimit të rezervuarit që furnizon fshatrat me ujë të pijshëm si dhe ndërtimi i rrjetit kryesor të ujit të pijshëm, jemi në pritje për të vazhduar më tutje me ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në fshat. Shqetësim mbetet keqpërdorimi i ujit të pijshëm gjatë sezonit të verës, ndoshta për këtë mund të kontribuojmë me një fushatë ndërgjegjësimi tek banorët?!”, deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale në Veleshtë Naim Nasufi.

Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit është një tjetër projekt që ka filluar vite më parë dhe akoma nuk është finalizuar.

“Ky projekt në fshat ka filluar disa vite më parë, këtë vit është avancuar me ndërtim të këtij rrjeti me mbi 1.5 km dhe aktualisht është duke u punuar për këtë projekt në mënyrë që të finalizohet dhe të jetë në shërbim për çdo shtëpi në fshat”, tha kryetari i Bashkësisë Lokale, Naim Nasufi.

Më 18 shkurt të vitit 2020 nga Komuna e Strugës iu uruan javë të mbarë qytetarëve me njoftimin se në Veleshtë ka filluar ndërtimi i 420m rrjet i ri i kanalizimit dhe vetëm pak ditë më parë në llogarinë zyrtare të Komunës së Strugës në Facebook u njoftua se vazhdojnë punimet në rrjetin e kanalizimit në Veleshtë.

“Kryetari i Komunës së Strugës Ramis Merko, bashkë me Drejtorin e NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”-Strugë, Dashmir Nasufi, kryen mbikëqyrje të punimeve në rrjetin e kanalizimit në fshatin Veleshtë. Punimet për montimin e gypave të rinj të kanalizimit PVC fi-75 po zhvillohen në disa lokacione të fshatit, siç janë: në rrugën deri te kthesa për në fshatin Dobovjan dhe dy linja në rrugicën te varrezat e fshatit.

“, theksohet në njoftimin e Komunës së Strugës.

Ramis Merko inspekton punimet në rrjetin e kanalizimit në Veleshtë/ Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare e Komunës së Strugës në FB
Ramis Merko inspekton punimet në rrjetin e kanalizimit në Veleshtë/ Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare e Komunës së Strugës në FB

 

Gjatë këtij mandati akoma nuk është bërë ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve dytësore brenda fshatit. Sipas kryetarit të Bashkësisë Lokale në këtë drejtim nuk është bërë asgjë për shkak të vijimit të realizimit të projektit për ndërtimin e kanalizimeve.

“Në lidhje me këtë projekt nuk është avancuar, por janë asfaltuar disa zona në rrugët që kanë qenë të dëmtuara. Avancimi i këtij projekti mbetet për vitin e ardhshëm sepse ky projekt është i lidhur ngushtë me mbarimin e projektit të ndërtimit të kanalizime të ujërave të zeza, pasi ndërtimi i kanalizimeve kërkon gërmime për pasojë edhe prishje të asfaltit ekzistuese”, u shpreh Naim Nasufi.

Edhe pse në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, është premtuar ndërtimi i këndeve të lojërave gjatë këtij mandati në Veleshtë ka vetëm një kënd lojërash për fëmijë. Para disa vitesh në një hapësirë të shkollës fillore të fshatit, pushteti lokal vendosi disa lojëra për fëmijë, ndërsa rreth një viti më parë nga donatorë privatë sipërfaqja e këndit të lojërave u shtrua me rërë dhe betonim.

“Bota ka ende njerëz të mirë që kontribuojnë në arsim. Falënderime të sinqerta donatorëve nga f. Veleshtë për kontributin e dhënë, duke siguruar një ambient shkollor më të mirë dhe nivel më të lartë sigurie për fëmijët-nxënësit e Sh.F.K. ”Zini Hani”-f. Veleshtë”, theksohet në një postim të bërë në faqen e Facebook-ut të kësaj shkolle.

I parealizuar vazhdon të mbetet dhe premtimi për ndërtimin e sallës sportive në kuadër të shkollës së fshatit. Sipas kryetarit të Bashkësisë Lokale të fshatit Veleshtë, lidhur me këtë projekt është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm dhe së shpejti duhet të nisin punimet.

“Në dijeninë tonë për këtë projekt nga ana e Komunës është kompletuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm, pritet që nga Ministria e Arsimit të jepet miratimi për fillimin e punimeve të ndërtimit”, shtoi Naim Nasufi.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe nga bashkëbisedimi me banorët e  fshatit Veleshtë, Portalb.mkkonkludon se premtimet e bëra në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, Ramis Merko, pra: Ndërtimi i rezervuarit dhe rrjetit të ujësjellësit, ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve dytësore brenda fshatit, ndërtimi i rrjetit të kanalizimit, ndërtimi i kënde lojërash për fëmijët dhe ndërtimi i sallës sportive në kuadër të shkollës, ende nuk janë realizuar.
Veleshta - 20.10.2023 fotografuar nga Sh.A/PORTALB.MK
Veleshta – 20.10.2023 fotografuar nga Sh.A/PORTALB.MK

BURIMET: