RMV, zjarret në dimër janë pasojë e ndryshimeve klimatike, por edhe e traditës së djegies së kashtës

Ndryshimet klimatike na kanë sjellë zjarre edhe në dimër. Temperaturat e larta, të pazakonta për këtë periudhë të vitit, si dhe periudha e gjatë e thatë pa reshje bore dhe shiu, e shtuar nga aktivitetet njerëzore dhe pakujdesia, krijuan kushte të favorshme që pyjet dhe malet tona të digjen në shkurt, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në ditët e fundit janë regjistruar 20 zjarre në ambiente të jashtme. Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Krize, janë djegur pyje me kërcell të ulët dhe bimësi tjetër, si dhe zjarrfikësit po shuanin mbeturinat dhe djegien e kontejnerëve. Zjarret janë vërejtur pothuajse në çdo pjesë të vendit, në Malin Sharr dhe në malin Zheden, në rrethinën e Shkupit, Prilepit, Ohrit, Velesit, Dellçevës, Kumanovës, Tetovës, Çeshinovës… Një pjesë e madhe e tyre janë të lidhura me moti i ngrohtë dhe fillimi i punimeve bujqësore dhe përgatitjet e kullotave, që në vendin tonë tradicionalisht bëhen me djegien e kashtës.

Parku Nacional “Mali Sharr” ka bërë të ditur sot se zjarri mbi fshatin Veshallë tashmë është lokalizuar nga zjarrfikësit e Tetovës dhe shërbimi i tyre rojetar. Ata theksojnë se ky nuk ishte zjarri i parë në natyrë këtë dimër, por u ndez më shumë për shkak të kushteve atmosferike dhe erës më të fortë.

“Edhe pse periudha kritike për zjarret në pyje është në pranverë dhe vjeshtë, ndryshimet klimatike dhe luhatjet e temperaturës dhe thatësira e gjatë që i shkaktojnë ato kontribuojnë në shfaqjen e tyre më herët. Këto ditë temperaturat e natës në mal nuk zbresin nën 4 gradë Celsius, gjë që i motivon njerëzit të dalin dhe të pastrojnë arat, kullotat, përgjatë rrugës”, thotë Anela Stavrevska-Panajotova nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”.

Ajo bën me dije se në park janë dhjetë roje që janë vazhdimisht në terren, por edhe se janë të pajisur me pajisje të pakta të përbëra nga fshesa, lopata dhe çanta shpine me ujë, të cilat nuk mjaftojnë për të përballuar zjarret më të rënda.

“Edhe pse zjarri është shuar, jemi vazhdimisht në vëzhgim. Është e dyshimtë se zjarri i fundit ka filluar pikërisht në afërsi të rrugës, për këtë arsye është thirrur policia për të konstatuar nëse dikush i ka vënë flakën”, thotë Stavrevska-Panajotova dhe thekson se është shumë e rëndësishme të punohet në parandalimin dhe sidomos në edukimin e popullsisë në zonat rurale të braktisin praktikat e djegies si mjet pastrimi.

Apele të njëjta këto ditë ka bërë edhe Qendra për Menaxhimin e Krizave. Kryetari i saj Stojançe Angelov pohon se asnjë zjarr nuk ndodh pa ndikimin e faktorit njerëzor.

“Është e vërtetë që bimësia është e thatë dhe se nuk ka pasur reshje të mjaftueshme, por zjarret kanë shpërthyer në katër vende në të njëjtën kohë në Sharr. Është fat që tashmë janë shuar”, thekson Angelov.

Ai bën me dije se zjarri është ende aktiv në malin Zheden, ku digjen bar dhe shkurre, ndërsa për shuarjen e tij është angazhuar një helikopter i policisë. Gjithashtu QMK  apeloi që të mos digjet bimësia në ambiente të jashtme, si dhe të lajmërohet në numrin 112 rastet e zjarrit, si dhe emergjenca të tjera, sidomos kur qytetarët kanë situata kërcënuese për jetën.

Ndryshe, një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar më 26 janar të këtij viti ka shfaqur të dhëna shqetësuese për Maqedoninë e Veriut. Parashikimet janë të frikshme. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut është e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore që paraqesin rreziqe thelbësore për sigurinë publike dhe infrastrukturën publike. Përmbytjet dhe zjarret, parashikohen të bëhen më të shpeshta dhe ekstreme pasi ndryshimet klimatike ndryshojnë temperaturat dhe modelet klimatike.

FMN parashikon se çdo dhjetëvjeçar të ardhshëm Maqedonia e Veriut mund të përballet me përmbytje potencialisht kërcënuese për jetën e njerëzve.