Dy zjarre në Malin Sharr në mes të dimrit

Institucioni Parku Kombëtar “Mali Sharr” ka informuar se në 24 orët e fundit përballen me dy zjarre prej të cilave i dyti në mes fshatrave Bozovcë dhe Veshallë ende nuk është futur nën kontroll për shkak të erës së fortë dhe vegjetacionit të thatë, raporton Portalb.mk.

Nga ky institucion apelojë që në 7 ditët në vazhdim, qytetarët të jenë të vëmendshëm për shkak të kushteve klimatike të papërshtatshme.

“Me qëllim për t’u parandaluar pasojat e papëlqyeshme ju rikujtojmë se në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr është e ndaluar të ndizet zjarr në hapësira të hapura, mos të hidhen shishe plastike dhe xhami, mos të bëhet ndezja e mbeturinave dhe materialeve tjera që përhapin zjarr dhe mos të hidhen filtera dhe bishta cigaresh”, thonë nga PK “Mali Sharr”.

Ata theksojnë se kur qytetarët vërrejnë zjarr, mund të paraqiten në numrin e telefonit 112 në Qendrën për menaxhim me kriza.

Krahas zjarreve, as shpallja e një pjese të Malit Sharr si Park Kombëtar nuk i ndaloi qytetarët e pandërgjegjshëm të abuzojnë me natyrën por as institucionet t’i qasen më seriozisht këtij problemi. Mbeturinat dhe deponitë ilegale gjenden gjithandej në Sharr.

Ndryshe, pas disa dekadave pritje, më 30 Qershor 2021, Kuvendi i RMV-së e shpalli park kombëtar një pjesë të Malit Sharr.