Posta nuk i dorëzon të dhënat për të punësuarit e saj në Regjistrin për të Punësuarit, Qeveria asnjëherë nuk ka reaguar

Posta e Maqedonisë së Veriut asnjë vit nuk ka dorëzuar të dhënat për të punësuarit e saj në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Kjo ministri është e obliguar për publikimin e Regjistrit të Punësuarve në Sektorin Publik, në të cilin çdo vit bëhen publike të dhënat për numrin e punëtorëve nëpër institucione, përkatësinë e tyre etnike, përfaqësinë gjinore dhe karakteristika tjera, shkruan Portalb.mk.

Të dhënat për të punësuarit në Postën e Maqedonisë së Veriut, asnjë vit nuk janë publikuar në Regjistrin e të Punësuarve ne Sektorin Publik, i cili prej vitit 2016-të publikohet çdo vit ku tregohen të dhënat dhe karakteristikat tjera të institucioneve me qëllim të menaxhimit cilësor me resurset njerëzore. Në Regjistër janë vetëm të dhënat për të punësuarit e Agjencisë së Postës, e ndër vite numëron jo më shumë se 20 punëtorë.

Portalb.mk, bisedoi me përfaqësuesit e MSHIA-së të cilët e përgatisin Regjistrin e të Punësuarve në Sektorin Publik, në lidhje me atë se pse në regjistër nuk ka të dhëna për të punësuarit. Sipas tyre, Posta, nuk ua ka dorëzuar të dhënat.

“Ne ua kemi kërkuar, por nuk na kanë dorëzuar. Për këtë kemi alarmuar në Qeveri”, thonë nga përfaqësuesit e MSHIA-së për Portalb.mk.

Portalb.mk. dorëzoi dhe pyetje shtesë për Postën dhe Qeverinë për atë se pse nuk kanë dorëzuar të dhëna për të punësuarit, për çka deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Në ueb-faqen e Postës mund të shihet se ka vetëm një listë me disa të dhëna për të punësuarit në Postë. Lista, është e vitit 2021, ndërkaq përfshin emrin dhe mbiemrin e të punësuarve, por edhe pozitën që e ushtrojnë. Gjithashtu, disa prej të punësuarve kanë dhe numër telefoni dhe e-mail.

Megjithatë, Regjistri, kërkon shumë më shumë se kaq të dhënash.

Çfarë të dhënash për të punësuarit përmban Regjistri?

Regjistri, funksionon në bazë të Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe në bazë të Rregullores për formën dhe përmbajtjen e Regjistrit të të Punësuarve në Sektorin Publik, mënyrën e udhëheqës së tij, qasjes, shfrytëzimit, përpunimit të të dhënave, dhe sigurimit të përgjegjësisë për vërtetësinë dhe sigurinë e të dhënave.

Regjistri, paraqet bazë elektronike e të punësuarve në sektorin publik, ndërkaq qasje në të, kanë të punësuarit në njësitë organizative për menaxhim me resurset njerëzore në të gjitha institucionet e sektorit publik pas autorizimit paraprak të marrë nga funksionari që udhëheqë me institucionin.

Çdo vit, ministri i Shoqërisë Informatike mban konferencë për shtyp në të cilën publikohen dhe prezantohen të dhënat e Regjistrit nga viti paraprak, me çka tregohet gjendja në sektorin publik. Institucionet duhet të japin një sërë të dhënash për të punësuarit e tyre, por në regjistër publikohen vetëm ato të cilat janë të lejuara sipas ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gjegjësisht, numrin, llojin, thirrjen, degën e pushtetit, veprimtarinë dhe themeluesin – e institucioneve të sektorit publik, ndërkaq për të punësuarit vetëm numri, grupi, nëngrupi, kategoria, niveli, thirrja, vendi i punës, gjinia, mosha, shkalla e shkollimit dhe përkatësia e komunitetit. Raportin e fundit, për vitin 2022 mund ta gjeni KËTU, ndërkaq deri në fund të marsit do të duhet të publikohet edhe raporti për vitin 2023.

Por, sipas Ligjit institucionet duhet të dorëzojnë shumë më shumë të dhëna se sa ato që publikohen në raportin vjetor. Gjegjësisht,  Regjistri i përmban të dhënat vijuese për të punësuarit dhe institucionet:

  • Identifikues të vetëm personal
  • Numri amë
  • Gjinia
  • Datë të lindjes
  • Vendlindje
  • Shteti i lkindjes
  • Përkatësia e komunitetit
  • Vendbanimi
  • Komuna e banimit
  • Posta elektronike dhe kontakt telefoni
  • Invaliditeti (po/jo)
  • Kategoria e invaliditetit
  • Niveli i kualifikimit (numri i kredive sipas EKTS, ECVET ose MKSOO, gjegjësisht shkalla e shkollimit)
  • Institucioni arsimor dhe drejtimi
  • Kompetencat e punës: të përgjithshme ose të veçanta
  • Emri i institucionit në të cilin është i punësuar
  • Shifra e të vendit të punës
  • Thirrja dhe/ose emri i vendit të punës
  • Njësia organizuese në të cilën është e punësuar
  • Baza dhe data e paraqitjes
  • Lloji i punësimit (afat të caktuar/të pacaktuar, orar të plotë/shkurtuar)
  • Të dhëna për punësimet paraprake (datë e paraqitjes dhe çlajmërimit dhe institucioni)
  • Të dhëna për trajnime (vizituara/zbatuara)
  • Të dhëna për mentorim (mentor/person nën mentor)
  • Të dhëna për përgjegjësi disiplinore dhe materiale
  • Të dhëna për vlerësimin e të punësuarit për tre vitet e kaluara
  • Të dhëna për mobilitetin e të punësuarit
  • Të dhëna për lartësinë e pagës dhe të kompensimeve nga paga

Megjithatë, edhe në ligj edhe në rregullore, nuk parashikohen masa ndëshkuese në rast se një institucion nuk i jep këto të dhëna. Dispozitat ligjore, e marrin të mirëqenë dorëzimin e të dhënave nga institucionet. Ligji në një nen e bën përgjegjës ministrin për çështjen e udhëheqjes dhe aspekteve tjera, por nuk përmban dispozita ndëshkuese, edhe për atë.

“Formën dhe përmbajtjen e Regjistrit, mënyrën e udhëheqjes së tij, mënyrën e qasjes, shfrytëzimit, përpunimit të të dhënave, por edhe mënyrës së sigurimit të përgjegjësisë për vërtetësinë dhe sigurinë e të dhënave i cakton ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës”, thuhet në paragrafin 8 të nenit 18 Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, ku pjesë e veçantë i kushtohet Regjistrit të të punësuarve në Sektorin Publik.

Prej vitit 2014-të e deri më sot, me MSHIA-në kanë udhëhequr 6 ministra, e po aq ka pasur edhe drejtorë Posta, megjithatë, as ministrat e as drejtorët nuk kanë siguruar që Posta t’i dorëzojë të dhënat për nevojat e Regjistrit elektronik.

Ndryshe, Portalb.mk më 4 shkurt e publikoi ekskluzivisht studimin e fizibilitetit të Postës së Maqedonisë së Veriut të kryer në vitin 2021 për të cilin shteti ka paguar afër 800 mijë euro. Sipas studimit, problemet kryesore të këtij institucioni janë organizimi dhe menaxhimi i dobët, mungesa e digjitalizimit, puna manuale dhe gabimet njerëzore në raportet financiare, mungesa e një sistemi të njëjtë të punës. Një nga problemet më shqetësuese të Postës së Maqedonisë së Veriut është se të punësuarit nuk paraqiten në punë dhe për ta nuk përcaktohen masa. Sipas studimit, ky problem shfaqet më shumë në periudhën e zgjedhjeve dhe anashkalohen nevojat e postës.

Sipas studimit, që nga viti 2012 deri në vitin 2019 numri i të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut është rritur vazhdimisht për dallim nga vendet tjera si Kroacia, Polonia, Hungaria, Rumania. Të dhënat e siguruara nga Portalb.mk tregojnë se në vitin 2019 Posta ka pasur gjithsej 2092 të punësuar, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 1814 të punësuar.

Numri i të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk
Numri i të punësuarve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk

Sa i përket numrit të postierëve të në Postën e Maqedonisë të Veriut, në vitin 2019 ka pasur 752 postierë, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 725.

Numri i postierëve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk
Numri i postierëve në Postën e Maqedonisë së Veriut, Infografik nga Portalb.mk