RMV, ndikimi i ndryshimeve klimatike po rritet: Zjarret janë kërcënim për pyjet, përmbytjet për fushat

Ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë e motit që vijnë prej tyre më së shumti prekin rajonet e Vardarit, Lindore dhe Verilindore, tregon Atlasi i fatkeqësive natyrore. Mbi 80 përqind ose mbi 1400 raste në periudhën 2005-2022 janë zjarre, dhjetë përqind janë përmbytje, tetë përqind janë kushte ekstreme të motit dhe më së paku janë rrëshqitje dheu, transmeton Portalb.mk.

Këto janë të dhënat që përmban analiza e bërë nga Qendra për Ndryshimet Klimatike(QNK) në kuadër të projektit “Rritja e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike në nivel lokal”, sipas të dhënave që disponon Qendra për Menaxhimin e Krizave.

Analiza tregon se më të prekura nga numri i fatkeqësive natyrore janë komunat e Velesit, Negotinës dhe Kavadarit, ndërsa më pak të prekura janë komunat nga rajoni i Pollogut dhe i Shkupit. Shumica e këtyre ngjarjeve ndodhën në vitin 2011 dhe 2012 dhe mbizotëronin zjarret e hapura, para zjarreve në pyje dhe zjarreve në tokat bujqësore.

Dëmet më të mëdha nga këto ngjarje janë raportuar për kulturat e shkatërruara dhe arat e përmbytura në komunat e Resnjës, Novosellës dhe Vallandovës. Nga analiza ka rezultuar se dëme janë raportuar vetëm nga një e treta e ngjarjeve të ndodhura ndër vite dhe ato vlerësohen në 83 milionë euro.

“Është e nevojshme të punohet në bazën e të dhënave, e cila është e mbushur në mënyrë të parregullt, për të krijuar mekanizma për sistemet e paralajmërimit të hershëm, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për zjarret dhe përmbytjet. Duhet të regjistrohen si temperaturat e larta ashtu edhe ato të ulëta në mënyrë që të shohim se sa ndikojnë në shfaqjen e periudhave të thata dhe sa dëm shkaktojnë. E pamë që institucionet duhet t’i japin prioritet këtyre problemeve dhe komunat duhet të parashikojnë buxhete më të mëdha për t’u përballur me to”, tha Filip Stojanovski nga QNK në prezantimin e sotëm të analizës.

Ministrja e Mjedisit Kaja Shukova theksoi se në luftën kundër ndryshimeve klimatike përveç Ministrisë kanë rol edhe disa institucione, si Qendra për Menaxhimin e Krizave, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, e veçanërisht komunat.

“Vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të përballemi me sukses me ndryshimet klimatike. Janë të shumta veprimet që duhen ndërmarrë në fushën e zbutjes dhe përshtatjes dhe u bëj thirrje të gjithëve që të punojnë aktivisht sepse po e ndjejmë gjithnjë e më shumë ndikimin”, tha Shukova.

Ajo theksoi se vendi ka zhvilluar katër plane kombëtare për ndryshimet klimatike, në të cilat skenarët klimatikë dhe ndikimet e tyre në sektorët më të prekur janë analizuar në detaje, me masa të propozuara për të zbutur ndikimet në të gjithë sektorët. Ajo përmendi edhe Ligjin për aksion klimat, për të cilin ende po punohet dhe pritet të miratohet këtë vit.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov, theksoi se gjithnjë e më shumë po ballafaqohemi me fatkeqësitë natyrore si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe pritet që në të ardhmen të kenë trend rritës dhe të shkaktojnë dëme dhe pasoja më të mëdha për mjedisin dhe për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Në periudhën e kaluar kemi pasur tridhjetë apo pesëdhjetë zjarre të hapura, ndërsa vitin e kaluar kemi pasur shumë vërshime që kanë shkaktuar dëme në kulturat bujqësore. Presim sërish përmbytje këtë pranverë dhe një numër të madh zjarresh në verë, të cilat ndoshta do të jenë sërish të nxehtë dhe të thatë. Për këtë arsye ne jemi duke përgatitur të gjitha resurset e nevojshme për t’u përballur me këto sfida”, tha Angelov.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, thotë se institucioni është i përgatitur mirë për t’u përballur me fatkeqësitë dhe se vitin e kaluar të tre avionët janë trajnuar. Mirëpo, Maksuti theksoi se po përballen me mungesë pilotësh dhe apeloi që të përmirësohen kushtet për punësimin e tyre.

“Ne nuk kemi pilotë, duhet të normalizohen pagat dhe të sigurohen përfitime të tjera që do t’i tërheqin ata të bëhen pjesë e drejtorisë së aviacionit”, tha Maksuti.

Ndryshe, një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar i publikuar më 26 janar të këtij viti ka shfaqur të dhëna shqetësuese për Maqedoninë e Veriut. Parashikimet janë të frikshme. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut është e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore që paraqesin rreziqe thelbësore për sigurinë publike dhe infrastrukturën publike. Përmbytjet dhe zjarret, parashikohen të bëhen më të shpeshta dhe ekstreme pasi ndryshimet klimatike ndryshojnë temperaturat dhe modelet klimatike.

FMN parashikon se çdo dhjetëvjeçar të ardhshëm Maqedonia e Veriut mund të përballet me përmbytje potencialisht kërcënuese për jetën e njerëzve.