RMV, vetëm thirrjet raciste kundër shqiptarëve në fushat sportive nuk nxisin reagime të shpejta institucionale
Mosndëshkimi i thirrjeve raciste e antishqiptare në Kumanovë, gjatë ndeshjes së parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, ngre dyshimin se edhe rasti i fundit në Kavadar, ku prap u dëgjua kënga “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar…” rrezikon të mbetet si rast i pazgjidhur që kap pluhur në sirtarët e institucioneve përgjegjëse, shkruan Portalb.mk. Reagimi institucional, megjithatë nuk mungoi dhe ishte i shpejtë në rastin e shtetasit që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, incident ky që ndodhi pas Kumanovës.
Rasti më i ri i gjuhës së urrejtejs në arenë sportive u regjistrua në Kavadar më 25 gusht në ndeshjen futbollistike Pelisteri – Shkupi. Njëjtë sikur një muaj më parë në Kumanovë edhe në Kavadar u dëgjua refreni i njohur tashmë “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket”.
Në pyetjen e Portalb.mk se a do të ndërmerr diçka prokuroria publike në lidhje me thirrjet raciste në Kavadar, nga prokuroria thanë se presin reagimin e policisë.
“Prokuroritë publike, në përputhje me juridiksionin e tyre ligjor, veprojnë dhe ndjekin penalisht të gjithë autorët e krimeve që janë identifikuar nga policia dhe për të cilët janë paraqitur kallëzime dhe janë siguruar prova se ata kanë kryer një krim”. thanë nga atje.
Në pyetjen e Portalb.mk se çfarë do të ndërmerr Ministria e Punëve të Brendshme, nga atje thanë se do të paraqesin kallëzim përkatës, duke mos treguar konkretisht se kur.
“Më 25.08.2025, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, në stadiumin e qytetit në Kavadar, u luajt ndeshje kampionale futbolli midis KF “Pelister” nga Manastiri dhe KF “Shkupi” nga Shkupi. Para dhe gjatë ndeshjes, nuk u regjistruan shkelje të rendit dhe qetësisë publike dhe shkelje të tjera. Pas ndeshjes, kur lojtarët e KF “Pelister” u afruan për t’u përshëndetur me tifozët “Çkembari”, një pjesë e grupit të tifozëve Çkembari kreu veprën penale sipas Ligjit për Parandalimin e Dhunës dhe Sjelljes Joadekuate në Ndeshjet Sportive duke kënduar këngë që shkaktojnë dhe nxisin urrejtje në baza kombëtare. Departamenti i Policisë së Kavadarit po ndërmerr masa për të përcaktuar identitetin e autorëve, dhe kallëzim përkatës do të ngrihet kundër KF “Pelister”, në përputhje me ligjin”, kumtoi MPB.
Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut u zotuan se po ndërmarrin masa për zbardhjen dhe penalizimin e autorëve.
“Pas raportit të delegatit të ndeshjes KF Pelister – KF Shkupi, Komisioni për ndeshjet e FFM-së e ka dërguar KF Pelister në Komisionin Disiplinor për procedurë të mëtejshme. Raporti ka të bëjë me brohoritje fyese nga disa tifozë në ndeshjen Pelister – Shkupi, të luajtur në kuadër të raundit të 3-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut,” thuhet në kumtesën e FFM-së.
Ndryshe nga procedurat e përmendura më lartë, u veprua shumë shpejtë në në identifikimin dhe penalizimin e një shtetasi gjerman për veprën “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose intolerancës në baza kombëtare, racore, fetare dhe të tjera diskriminuese” sipas nenit 319 të Kodit Penal duke shfaqur dhe valëvitur flamurin e “Shqipërisë së Madhe” dhe me mbishkrimin “Autochthonous”. Gjykata Themelore Penale Shkup menjëherë shpalli vendim me të cilin e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me dënim me kusht prej dy vitesh burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse personi i dënuar nuk kryen një krim të ri në 5 vitet e ardhshme. Njëkohësisht, meqenëse ai është shtetas i huaj, Gjykata vendosi ta dëbojë atë dhe t’i ndalojë hyrjen në vend për pesë vitet e ardhshme.
Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë nuk u zbardhën siç pretendon zëvendëskryeministri Izet Mexhiti
Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe ekspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.
- LEXO: Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë nuk u zbardhën siç pretendon zëvendëskryeministri Izet Mexhiti
- LEXO: Heshtja institucionale e ushqen urrejtjen në Maqedoni, nevojiten sanksione të rrepta për thirrjet nacionaliste dhe raciste
- LEXO: RMV, urrejtja që nuk nuk shihet e ndëshkohet: nga qindra raste, policia ka vepruar vetëm për 4 në gjysmën e parë të vitit (Infografik)