Von der Leyen të premten vjen në Shkup, në fokus perspektiva evropiane e vendit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Leyen, të premten do të vizitojë Shkupin, në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës ajo do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, me të cilët do të diskutojë për perspektivën evropiane të vendit dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
Shkupi është ndalesa e fundit e turit të kreut të Komisionit Evropian.
Ajo do ta nisë turneun në vendet e Ballkanit Perëndimor më 30 shtator në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj. Të enjten do të shkojë në Prishtinë, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa më pas, po atë ditë, do të udhëtojë drejt Podgoricës, ku do të zhvillojë takime me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.
Turneun do ta përfundojë më 2 tetor me vizitën në Shkup.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për Sitel tha dje se vizita e Von der Leyen dërgon mesazh se BE-ja mbetet e interesuar për rajonin. Ai shtoi se presidentes së Komisionit Evropian do t’i prezantohet propozimi për përfshirje më të madhe të Bashkimit Evropian në bisedimet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, sipas ekspertëve që kanë folur për Portalb.mk, shihet si një mundësi për të përcjellë mesazhe të reja për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, por mbetet e paqartë nëse ajo mund të sjellë edhe një hap konkret drejt zhbllokimit të negociatave me Bashkimin Evropian.
Brukseli vazhdimisht i ka përsëritur Shkupit se duhet të përmbushë detyrimet e marra përsipër, ndërsa krahas ndryshimeve kushtetuese kërkohen edhe reforma në fusha të tjera kyçe.
Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, ka deklaruar se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë pa marrë garanci se Bullgaria nuk do të vendosë kushte të reja dypalëshe gjatë procesit të mëtejshëm të integrimit.
Në këtë situatë, vizita e von der Leyenit pritet të jetë një tjetër moment për të matur nëse ekziston hapësirë për kompromis mes qëndrimit të Shkupit dhe kërkesave të BE-së, por edhe nëse mesazhet politike nga Brukseli do të shoqërohen me ndonjë nismë konkrete për tejkalimin e ngërçit.
Për momentin, mbetet e hapur nëse vizita do të sjellë një hap të ri në proces apo do të shërbejë kryesisht si konfirmim i kërkesave tashmë të njohura të Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Von der Leyen në rajon: A mund të sjellë vizita shtysë për zhbllokimin e negociatave të RMV-së me BE-në?
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
- LEXO: Rokas: Von der Leyen do ta vizitojë rajonin, shpresoj që vizita të jetë vendimtare për integrimin evropian të vendit
- LEXO: Filipçe: Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht, mund të jemi të zemëruar me Evropën, por duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të marrim vendime të vështira