Revizioni: Edhe pse gratë janë shumicë në sektorin publik, burrat dominojnë në pozitat drejtuese

Edhe pse gratë përbëjnë 57,5 përqind të gjithsej 110.885 të punësuarve në sektorin publik, në pozitat drejtuese më së shpeshti emërohen burra, gjë që tregon se përfaqësimi më i madh i grave në sektorin publik nuk përkthehet edhe në qasje të barabartë në pozitat vendimmarrëse, thuhet në raportin “Gratë lidere – gratë në politikë, Kuvend dhe në pozitat drejtuese në organet e pushtetit qendror” të Entit Shtetëror të Revizionit, transmeton Portalb.mk.

Revizioni, i cili përfshin periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, ka konstatuar se nuk janë vendosur politika efektive për forcimin e rolit të grave në pozitat udhëheqëse dhe drejtuese në pushtetin qendror.

“Analiza e kryer tregon se kuota e përcaktuar me ligj për gjininë më pak të përfaqësuar ka ndikim në pjesëmarrjen e grave në Kuvend. Në periudhën 2007–2024, pjesëmarrja e grave deputete varion nga 30 deri në 43 përqind, ndërsa në vitin 2024 ishte 39,2 përqind. Me këtë përqindje, vendi ka përfaqësim më të lartë të grave në parlament se 83 përqind e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa krahasuar me vendet e rajonit që nuk janë anëtare të BE-së, renditet në vendin e parë”, thuhet në raportin e revizionit.

Megjithatë, në raport theksohet se që nga konstituimi i Kuvendit në vitin 1991, asnjë grua nuk është zgjedhur kryetare e Kuvendit. Në përbërjen aktuale parlamentare, ndërkaq, ka një grua nënkryetare, në përputhje me dispozitën e Rregullores së Kuvendit të vitit 2023, sipas së cilës të paktën njëri nga nënkryetarët duhet të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar.

Në pushtetin ekzekutiv, nga ana tjetër, gjendja është ndryshe, thuhet në raport, pasi Ligji për Qeverinë dhe Rregullorja nuk parashikojnë balancë gjinore gjatë propozimit dhe emërimit të ministrave. Ndryshe nga parlamenti, ku ekziston një kuotë ligjërisht e detyrueshme, përbërja e pushtetit ekzekutiv varet nga propozimi i mandatarit.

“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, pjesëmarrja e grave në Qeveri si ministre varion nga 14 deri në 31 përqind, si zëvendësministre nga 7 deri në 25 përqind, ndërsa si sekretare shtetërore nga 6 deri në 31 përqind. Në përbërjen e Qeverisë 2024–2028, nga 20 ministrat me resor, vetëm tre janë gra, përkatësisht 15 përqind, ndërsa nga pesë zëvendëskryeministrat nuk ka asnjë grua”, theksojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Revizioni ka konstatuar se nuk ekzistojnë mekanizma të unifikuar dhe mjaftueshëm transparentë për përzgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve në pushtetin qendror, pasi procedurat rregullohen me ligje të ndryshme, ndërsa një pjesë e përzgjedhjeve bëhen në seanca të mbyllura. Edhe pse në maj të vitit 2026 është dorëzuar Propozim-ligji për drejtuesit e lartë, i cili parashikon përzgjedhje sipas meritës, transparencës dhe qasjes së barabartë, barazia gjinore ende nuk është siguruar në mënyrë sistematike gjatë emërimeve që janë në kompetencë të Kuvendit, Qeverisë dhe ministrive.

Edhe pse Strategjia për Barazi Gjinore 2022–2027 e njeh nevojën për pjesëmarrje më të madhe të grave në vendimmarrje, sipas Entit Shtetëror të Revizionit mungojnë treguesit e saktë, masat dhe mekanizmat për monitorim dhe llogaridhënie. Në raport përmendet edhe Qendra Burimore për krijimin e politikave dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, e cila, edhe pse ndër objektivat e saj ka promovimin e pjesëmarrjes së grave dhe mundësive të barabarta për udhëheqje, në vitin 2024 nuk ka zhvilluar trajnime të orientuara drejt zhvillimit të grave për pozita udhëheqëse.

Revizioni ka konstatuar se një rrezik i rëndësishëm dhe një nga pengesat më të mëdha për pjesëmarrjen e grave në politikë dhe në pozita të larta drejtuese është gjuha e urrejtjes, veçanërisht në internet. Siç theksohet, kjo ndikon negativisht te gratë dhe anëtarët e familjeve të tyre dhe mund t’i dekurajojë ato nga pranimi i këtyre funksioneve.

“Krijimi i një mjedisi të sigurt për pjesëmarrjen e grave në jetën publike, politike dhe profesionale është parakusht për qeverisje demokratike dhe politika publike cilësore”, thuhet më tej në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.

Enti Shtetëror i Revizionit u rekomandon institucioneve dhe partive politike të vendosin masa konkrete për avancimin e barazisë gjinore, koordinim më të mirë dhe monitorim sistematik të gjendjes.