RMV, vendimet e Qeverisë në lidhje me Ligjin për qendrën e vjetër të Ohrit dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit Nacional për Zhvillim

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 6-të nën udhëheqjen e kryeministrit Talat Xhaferi, ka miratuar tekstin për ndryshimin e Ligjit për qendrën e Ohrit, duke përcaktuar disa kufizime sidomos në pjesën e ndërtimeve, transmeton Portalb.mk.

“Risia më e rëndësishme e paraparë me këtë Propozim ligj është se deri në miratimin e planeve të reja detale urbanistike të harmonizuara në përputhje të mbrojtjes së përcaktuar në to, në Qendrën  e qytetit të vjetër të Ohrit nuk do të mund të ndërtohen objekte të reja, ndërtime shtesë dhe mbindërtime”, sqaroi Qeveria.

Ministria e Kulturës ka propozuar këto ndryshime, me qëllim mbrojtjen e qendrës ë qytetit, në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përcaktoi tekstin e Propozim ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shpalljen e qendrës së vjetër të qytetit të Ohrit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë”, njoftoi Qeveria.

Qeveria vendosi për themelimin e Këshillit Nacional për Zhvillim dhe emërimin e anëtarëve të këtij Këshilli, si një organ këshillëdhënës i përhershëm i Qeverisë.

“Për anëtarë të Këshillit Nacional për Zhvillim janë emëruar: Kryetari i Qeverisë Talat Xhaferi, zëvendëskryetarët e Qeverisë: Bojan Mariçiq, Artan Grubi, Fatmir Bytyqi dhe Sllavica Gërkovska, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, ministrat: Fatmir Besimi, Kreshnik Bekteshi dhe Sllavjanka Petrovska”, njoftoi Qeveria.

Në këtë Këshill do të ketë anëtar edhe nga Presidenca, Kryeparlamentari, Akademia, partitë politike, sindikatat, komunat, universitetet dhe rinia.

Ky Komision ka për qëllim zbatimin e Strategjisë Nacionale të Zhvillimit për periudhën 2024-44. Më 6 shkurt të këtij viti, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerësoi që është miratuar një nga ligjet më gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, duke njoftuar që në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është miratuar Ligji për Strategjinë Nacional të Zhvillimit.

Ndryshe, Komiteti për trashëgimin botërore në UNESKO në sesionin e 45-të që e mbajti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, vendosi që rajoni i Ohrit të mbetet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në UNESKO.

Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.