RMV, shporta me 100 produkte ushqimore deri të premten duhet të përgatitet me marzha të kufizuara
Deri të premten duhet të përgatitet shporta konsumatore e vjeshtës me rreth 100 produkte ushqimore, informon MIA. Grupi i punës në të cilin ka anëtarë të ministrive të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Financave, do të bëjë simulim për kufizimin e çmimeve ose të marzhave.
“Domethënë, llogaritjet do të bëhen duke ulur marzhet në 5, 10 ose 15 për qind të tregtisë me pakicë ose ngrirje të çmimeve në nivel të caktuar. Simulimi duhet të japë informacion se cila do të jetë zgjidhja më e favorshme për çmimet përfundimtare për konsumatorët dhe cilat do të jenë implikimet fiskale të kësaj mase”, thotë ministri i Ekonomisë Besar Durmishi në një deklaratë për MIA-n.
Propozimi dhe simulimi i shportës konsumatore të vjeshtës, siç thekson Durmishi, do të dorëzohet në Qeveri në mbledhjen e ardhshme dhe do të merret vendim për uljen e çmimeve të këtyre produkteve themelore ushqimore për konsumatorët finalë.
“Synimi ynë është të ndihmojmë qytetarët për të përmirësuar standardin e jetesës. Gjithashtu dua të them se kjo shportë konsumatore vjeshtore në periudhën në vijim do të vazhdojë të aplikohet në formën e shportës së konsumit të Krishtlindjeve, shportës së konsumit të Ramazanit, shportës së konsumit të Pashkëve me ndryshime në listën e produkteve që do të mbulohen në varësi të periudhave në të cilën do të aplikohet”, thotë Durmishi, duke sqaruar që nga 28 shtatori do të punohet që shpenzimet shtesë te disa produkte të kufizohen në 10 përqind,
Ndryshe, Enti Shtetëror i Statistikave së fundmi ka njoftuar që kostoja e jetesës dhe çmimet me pakicë në muajin gusht kanë shënuar rritje për 2.2 përqind, gjegjësisht 3 përqind, krahasuar me gushtin e kaluar.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë raportoi që shporta minimale mujore të një familje në muajin gusht ka arritur 61.199 denarë.