RMV, ligji për vetëqeverisje lokale kaloi hapin e parë në Kuvend
Me 69 vota për dhe 17 kundër, deputetët votuan për nevojën e ndryshimeve në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me të cilat duhet të shmangen zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat që mbetën me ushtrues detyre, transmeton Portalb.mk.
Tani lëvizja e radhës është komisioni amë. Nevojën e këtyre ndryshimeve e shpjegoi nga foltorja koordinatori i VMRO DPMNE-së, Nikolla Miceski, i cili theksoi se është një zgjidhje e përkohshme që vlen vetëm për këto zgjedhje të parakohshme për të shmangur shpenzimet shtesë deri në ato të rregullta të ardhshme, gjegjësisht, që komunat të drejtohen nga u.d kryetarët aktual.
Nga LSDM-ja opozitare tashmë janë deklaruar se nuk do t’i përkrahin këto ndryshime sepse, siç thonë ata, qytetarëve po iu mohohet e drejta e zgjedhjes, ndërsa në pozitat e ushtruesve të detyrës së kryetarëve të komunave janë emëruar persona që nuk janë zgjedhje e votuesve.
Jozyrtarisht, deputetët e BDI-së ka gjasa të bindin kolegët e tyre nga Fronti Evropian që të gjithë ta mbështesin këtë zgjidhje ligjore në fazën finale.
Ndryshe, me këto ndryshime neni 4 parasheh zgjidhje ligjore kalimtare për procedurën e shpalljes së zgjedhjeve të reja për kryetar, për shkak të paraqitjes së njërit prej rasteve të ndërprerjes së mandatit të kryetarit me fuqi të ligjit deri në mbajtjen e të zgjedhjeve të para të rregullta për anëtarë të këshillave komunale dhe kryetarë komunash.
Duke pasur parasysh se kanë mbetur më pak se 12 muaj deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale dhe duke u nisur nga parimi i ekonomisë dhe gjendja ekonomike në vend, qëllimi për të cilin propozohen ndryshimet ligjore është komuna e Aerodromit, Sarajit dhe Gostivari të vazhdojnë të udhëhiqet nga ushtruesit e detyrës së kryetarëve sepse Mucunski dhe Taravari kaluan në ekzekutiv si ministra, ndërsa Blerim Bexheti u bë deputet.