RMV, provimin për licencë pune këtë vit e kanë dhënë 440 mjekë

Në dhjetë seancat e provimit që janë organizuar gjatë vitit, provimin profesional e kanë dhënë gjithsej 440 mjekë të mjekësisë që plotësojnë kushtet për marrjen e licencës për punë, njofton Oda e Mjekësisë, transmeton Portalb.mk.

Interesimi më i madh për dhënien e provimit profesional këtë vit ka pasur në seancën e provimit të dhjetorit, ku kanë kaluar 232 doktorë të mjekësisë.

Ndryshe, doktorët e mjekësisë, pas përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë dhe praktikës, më së voni brenda një viti duhet t’i nënshtrohen provimit profesional për të marrë licencën e punës. Organizimi i dhënies së provimit profesional është një nga kompetencat e Odës, përveç dhënies së licencave, mbajtjes së Regjistrit të Licencave, akreditimit për edukim të vazhdueshëm mjekësor dhe kryerjes së mbikëqyrjes profesionale.

Vitin e kaluar 2022, provimin profesional e dhanë 435 doktorë të mjekësisë, në vitin 2021 kanë marrë vërtetime për dhënien e provimit profesional 350, ndërsa në vitin 2019 ky numër ka qenë 420.

Në vitin 2024, Oda njofton se do të modernizojë procesin e dhënies së provimit profesional, në shembullin e shoqatave të tjera nga vendet e Evropës Perëndimore, me të cilat arrihet bashkëpunim i ngushtë.

“Baza e të dhënave e pyetjeve të provimeve është përditësuar dhe plotësuar dhe tashmë është publikuar në faqen e Odës. Risi do të jetë se pjesa me shkrim e provimit do të jepet në kompjuter, ku një program i veçantë do të gjenerojë një test me pyetjet e provimit dhe përgjigjet e ofruara, nga të cilat vetëm një do të jetë e saktë. Pasi t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve, programi kompjuterik do të japë automatikisht numrin e përgjigjeve të sakta. Mjekët që përgjigjen saktë në 60 për qind të pyetjeve do të kalojnë në provimin praktik dhe me gojë”, sqaron Oda e Mjekësisë.

Në pjesën praktike, megjithatë, mjekët do të marrin një rast studimi të një pacienti dhe ata duhet të shpjegojnë se si do ta trajtojnë atë. Në pjesën e fundit, gojore, theksi vihet në njohjen e normave dhe rregullave etike që mjeku duhet të respektojë në ushtrimin e veprimtarisë së doktorit.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut po mbetet pa mjekë amë. Qytetarët dalëngadalë nuk do të kenë kush ti mjekojë. Rreth 300 mjekë nga brezi i vjetër i mjekëve tashmë janë para pensionimit.

Një pjesë e mirë edhe e të tjerëve, janë në moshë. Nëse diçka nuk ndryshohet, gjendja do të përkeqësohet, paralajmëron Oda e mjekëve.