Mungesë mjekësh, vonesa në kontrolle mjekësore dhe probleme me terapinë në burgjet e Maqedonisë, konstatoi Avokati i Popullit
Mungesa dhe shpërndarja e pabarabartë e personelit shëndetësor, qasja e vonuar në kontrolle specialistike, ndërprerjet në terapi, parandalimi i dobët dhe koordinimi i pamjaftueshëm janë ndër problemet kryesore në sigurimin e kujdesit shëndetësor në institucionet ndëshkuese-korrektuese në vend – tregon hulumtimi i Avokatit të Popullit, i realizuar në 11 institucione ndëshkuese-korrektuese, raporton MIA.
Sipas zëvendësavokates së Popullit, Sonja Trifunovska, megjithëse sistemi është i lidhur formalisht me sistemin publik shëndetësor, qasja në kujdesin shëndetësor nuk është e barabartë dhe as e njëtrajtshme në të gjitha institucionet, për shkak të së cilës realizimi i kësaj të drejte në praktikë shpesh varet nga institucioni konkret dhe nga ndërhyrja shtesë e Avokatit të Popullit.
Në debatin tematik për shkallën e sigurimit të kujdesit shëndetësor në institucionet ndëshkuese-korrektuese, të organizuar nga Zyra e Avokatit të Popullit me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, Trifunovska prezantoi gjetjet e hulumtimit, sipas të cilave në shtatë nga 11 institucionet është konstatuar mbipopullim, në shtatë ka personel të përhershëm shëndetësor, ndërsa në katër kujdesi shëndetësor sigurohet në mënyrë periodike ose me thirrje. Njëkohësisht, asnjë nga institucionet e vizituara nuk ka shërbim kujdestarie të personelit shëndetësor 24 orë në ditë.
Ajo theksoi se mungesa e personelit mbetet një nga sfidat më serioze.
“Vetëm prania e një mjeku ose e një ambulance nuk garanton qasje. Në disa nga institucionet, personeli vjen herë pas here, ndërsa ka edhe vende pune të paplotësuara. Në “Idrizovë”, sipas raportit, një mjek u shërben rreth 691 personave, ndërsa një infermier ose teknik pothuajse 461 personave”, tha Trifunovska, duke shtuar se, sipas standardeve, një mjek duhet t’u shërbejë rreth 300 personave.
Si probleme shtesë, ajo përmendi mungesën e automjeteve dhe të personelit për shoqërimin e të burgosurve drejt institucioneve shëndetësore, vonesat në marrjen e rezultateve dhe në diagnostikim, si dhe mënyrën e shpërndarjes së terapisë.
“Në disa institucione, terapinë ua shpërndajnë të burgosurve punonjësit e shërbimit të burgut, ndërsa në disa raste furnizimi varet nga familja. Kjo krijon rrezik për ndërprerje të terapisë, gabime në dozimin e barnave dhe cenim të konfidencialitetit mjekësor”, theksoi Trifunovska.
Ndryshe, Ministri për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski, në muajin shtator vlerësoi se gjendja në burgje duhet të trajtohet seriozisht, pasi strukturat kriminale mund të vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe brenda burgjeve.