RMV, përfundoi shqyrtimi i përgjithshëm rreth Ligjit për ndërtim, ndërsa ai për shpronësim e kaloi komisionin
Kuvendi sot pasdite në kuadër të seancës së 115-të e përfundoi shqyrtimin e përgjithshëm të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim, i cili është pjesë e ndryshimeve të pesë vendimeve ligjore të nevojshme për zbatimin e marrëveshjes me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, raporton MIA. Votimi për zgjidhjen ligjore do të bëhet shtesë.
Gjatë diskutimit, deputetët e opozitës theksuan se ndryshimet në pesë vendimet ligjore janë vetëm mbulesë për legalizimin e korrupsionit dhe krimit përmes abuzimit me flamurin evropian, ndërsa ato të partive në pushtet janë për realizim më të shpejtë dhe më të lirë të autostradave në korridoret 8 dhe 10D. Kuvendi do të vazhdojë nesër seancën e 115-të.
Sot anëtarët e Komisionit kuvendor për çështje evropiane kanë dhënë mbështetje për Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shpronësim, me procedurë të shkurtuar, e cila është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d. Në kuadër të seancës së Komisionit janë refuzuar tre amendamente të parashtruara nga VMRO-DPMNE-ja opozitare të këtij Propozim-ligji. Pas filtrit të kaluar të Komisionit, Komisioni për çështje evropiane e përcjellë propozim ligjin në procedurë të mëtutjeshme në Kuvend.
Kryetari i Komisionit për çështje evropiane, Arbër Ademi informoi se Komisioni nesër në mesditë duhet të vazhdojë me propozim ligjin e pestë dhe të fundit nga pakoja e ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D.
Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.
Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.
Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.
Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.
- LEXO: Ivanovska: Antikorupsioni e mori kontratën me “Bechtel dhe Enka”, ekipi prej katër këshilltarësh do ta analizojë
- LEXO: Ageler: Kam besim se “Bechtel” punon ligjërisht dhe në mënyrë transparente, opozita kritikon vetëm për poena politike