Dhuna në shkolla, në Maqedoninë e Veriut çdo i treti fëmijë nuk ndihet i sigurt
Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut po tenton që të gjejë modalitete për të ulur dhunën nëpër shkolla, raporton EN. Pas vendosjes në dispozicion të një adrese emaili për denoncimin e dhunës, kanë arritur mbi 20 denoncime nga e gjithë Maqedonia që lidhen me raste të ndryshme dhune mes moshatarëve nëpër shkolla.
Por ka edhe sugjerime për të përmirësuar sigurinë nëpër shkolla. Në mesin e ankesave ka edhe denoncime për mësimdhënës.
“Ka raste në të cilat raportohet se shkolla për dy tre herë radhazi nuk ka reaguar ndaj denoncimeve për bullizim. Për të gjitha raportimet, pavarësisht se çfarë janë, ka një departament të veçantë në Ministrinë e Arsimit me më shumë se pesë anëtarë që telefonojnë shërbimet në shkolla. Për të konfirmuar situatën, ne asnjëherë nuk zbulojmë se kush e ka raportuar rastin, nëse ka qenë palë e tretë, nëse ka qenë prindi. Pas ardhjes së shërbimeve, të gjitha shkollat pyeten se çfarë kanë bërë ligjërisht, a është raportuar rasti, a janë njoftuar prindërit”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Kryetari i Unionit të Gjimnazistëve, Lluka Paviçeviç kërkon fuqizimin e rolit të psikologëve nëpër shkolla që për momentin, thotë se bëjnë punë teknike dhe jo thelbësore për atë që janë angazhuar.
“Kërkesa jonë është më së shumti për punën e psikologëve pasi ata për momentin bëjnë punë administrative, janë burokratë. Kjo gjë doemos duhet të ndryshojë. Po kërkojmë përpilimin e një protokolli të veçante me të cilin secili nxënës do të ketë mundësi që të caktojë takim sy më sy me psikologun e shkollës”, u shpreh Lluka Paviçeviç, nga Lidhja e Gjimnazistëve.
Profesoresha e sociologjisë Tatjana Ivanova thotë se teknologjia dhe rrethanat e tjera në të cilat rriten fëmijët e sotëm, kërkojnë më shumë mund dhe qasje më kreative për të mos bërë gabime që do të kushtonin në të ardhmen.
“Më vjen mirë që po bëjmë fushat më afatgjate sepse te ne reagimet vinin vetëm kur kishte ndodhi konkrete. Për vite me radhë flasim për këtë problem shoqëror por për herë të parë po bëhet iniciativë konkrete, po ngremë panik moral. Të gjithë së bashku duhet të punojmë për parandalimin e dhunës mes fëmijëve. Duhet ta dëgjojmë zërin e fëmijëve në radhë të parë, pastaj të kyçen prindërit, bashkëpunëtorët profesional dhe gjithë që janë të kyçur në sistem”, tha Tatjana Ivanova, profesoreshë e sociologjisë.
Një sondazh i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, ku janë përfshirë 2000 nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm, tregon se një në tre fëmijë është përgjigjur se nuk ndihet i sigurt në shkollë dhe një në katër fëmijë nuk di të dallojë se është viktimë e dhunës së bashkëmoshatarëve. Shpesh nuk bëhet ndarje mes shakave dhe bullizmit e dhunës.