RMV, partitë maqedonase promovuan bartësit e listave dhe programet politike për zgjedhjet parlamentare

Partitë politike maqedonase gjatë ditës së sotme vazhduan me promvimin e bartësve të listave për deputetë dhe të programeve politike për zgjedhjet e presidenciale dhe parlamentare, njofton Portalb.mk.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e prezantoi programit “Platforma 1198”. Ai tha se ndryshimi kyç për të cilin pret mbështetje nga të gjithë partitë politike është Parlament me 90 deputetë. Potencoi se pret që partitë parlamentare të dakordohen dhe të bëhet reformë në Kodin Zgjedhor që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore.

Mickoski theksoi se do të përfundojë autostrada Kërçovë – Ohër, ndërtimi akseve rrugore Tetovë – Gostivar dhe Manastir – Prilep, si dhe do të ketë rikonstruim të Korridorit hekurudhor 10 dhe furnizim me trena.

“Një nga veglat e cila do të zbatohet është që të kontrollohet gjendja pronësore e të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve të shihet se si ata me pagat e tyre kanë arritur të përfitojnë prona për të cilat kemi indicie për një pjesë të tyre sesi i kanë përfituar ata ose farefisi i tyre i afërt. Nuk do të tolerohet keqpërdorim i automjeteve zyrtare për qëlime private dhe që qartë të njihen nga qytetarët, do të vendosim targa speciale për automjetet zyrtare. Krahasim i bazave të të dhënave për kontroll të pronës dhe parandalim të korrupsionit, me ç’rast do të bëjmë kontroll të statusit pronësor për të gjithë. Unë me familjen time paraqitem të jem i pari midis tyre”, tha Mickoski.

Mickoski paralajmëroi 5.000 denarë pension më të lartë për të gjithë pensionistët në afat prej një viti nga formimi i qeverisë së re. Gjithashtu, paralajmëroi punësim të personave me aftësi të kufizuar në institucionet publike. Paralajmëroi formimin e dhjetë qendrave për mbështetje dhe përkujdesje të grave-viktima të dhunës.

Programi zgjedhor i VMRO-DPMNE-së parashikon mbështetje financiare për nënat të cilat janë në marrëdhënie pune të paktën një vit për fëmijën e parë të fitojnë kthim të të ardhurave personale për një vit, për fëmijën e dytë të kenë kthim të tatimit për dy vite, ndërsa për fëmijën e tretë të kenë kthim çdo vit derisa fëmija më i madh nuk mbush 18 vjet. Ata premtojnë se do ta kthejnë masën Sigurim të shtëpisë për të rinjtë (Blij shtëpi për të rinj).

Mickoski paralajmëroi ndërtim të teleferikut nga Shkupit deri në Vodno të Mesme. Paralajmëroi 50 milionë euro mbështetje në kulturë dhe për sportin në mandatin katërvjeçar.

Në pjesën e shëndetësisë, Mickoski paralajmëroi se në programin e tyre parashihet punësim i kuadrit shëndetësor, gjegjësisht 500 mjekë dhe 500 personel mjekësor. Mickoski paralajmëroi edhe një Qendër të integruar klinike, si dhe ndërtim të Spitalit klinik në Shtip.

Përndryshe, VMRO-ja me 11 mars i publikoi emrat e bartësve të listave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Dimitar Kovaçeski, Foto: LSDM
Dimitar Kovaçeski, Foto: LSDM

Paga evropiane, mbështetje për të rinjtë, jetë dinjitoze për pensionistët, LSDM-ja i prezantoi dhjetë shtyllat kryesore të programit zgjedhor

Paga evropiane, mbështetje për të rinjtë, jetë dinjitoze për pensionistët, arsim evropian, ekonomi e fuqishme vendore dhe infraktrukturë moderne evropiane. Këto janë një pjesë e shtyllave kryesore të LSDM-së në programin zgjedhor të cilat dje në Kongresin e 28-të të partisë i prezantoi lideri Dimitar Kovaçevski, njofton Portalb.mk.

Programi zgjedhor i LSDM-së, siç informoi Kovaçevski, përfshin më shumë se 250 faqe dhe në të është paraparë përfundim i negociatave të vendit me Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.

Dy shtyllat e para të programit partiak të LSDM-së – paga evropiane dhe standard jetësor dhe jetë dinjitoze për pensionistët – u dedikohen pagave dhe pensioneve të cilat, siç tha Kovaçevski, në katër vitet e ardhshme do të arrinin nivel prej 1.100 euro pagë mesatare, paga minimale prej 600 euro, pensioni mesatare 30 mijë denarë dhe pensioni minimal 20 mijë denarë.

Lidhur me përcaktimin programor i cili i dedikohet mbështetjes së të rinjveKovaçevski tha se në 12 muajt e parë do të sigurohen nga 200 euro në muaj për çdo punësim të parë për personat deri në 26 vjeç.

Duke folur për përcaktimin programor për ekonominë e fuqishme vendore, siç potencoi Kovaçevski, do të sigurohen 180 milionë euro mbështetje direkte financiare për kompanitë vendore për investime në prodhimtari, ndërsa parashikohen 3,5 miliardë euro për investime kapitale publike.

Investim prej 2,7 milionë euro, Kovaçevski paralajmëroi edhe për projekte infrastrukturore, gjegjësisht, siç tha, kjo do të thotë 194 kilometra autostradë e ndërtuar deri në vitin 29028 dhe 950 kilometra rrugë të rikonstruuara.

Kovaçevski theksoi se me programin e ri sigurohen subvencione më të mëdha dhe mbështetje për bujqit prej 750 milionë euro. Njëherit, projeksionet e partisë janë se deri në vitin 2028 vendi më shumë do të eksportonte sesa do të importonte ushqim, ndërsa eksporti i prodhimeve bujqësore, sipas projeksioneve të LSDM-së, do të jetë 1,23 miliardë euro.

Në shtyllën e arsimit, Kovaçevski tha se një prej projekteve është shujtë falas për nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme për ata të cilët janë nga familje të cilët kanë nga dy paga mesatare në familje, si dhe transprt falas publik për nxënësit sipas arimit të njëjtë.

Shtylla e tetë është energjia e pastër dhe energjia më e lirë – parashikojmë rritje të prodhimtarisë së përgjithshme vendore të energjisë për më së paku 70 për qind deri në vitin 2028 në krahasim me vitin 2019. Pavarësi energjetike me të cilën do t’i plotësojmë 100 përqind  nga nevojat personale. Zgjerimi i kapaciteteve energjetike vendore do të ndikojë në uljen e çmimeve të energjisë”, tha Kovaçevski.

Duke folur për fondet evropiane për ekonominë e Maqedonisë, si shtyllë të nëntë të programit të LSDM-së për zgjedhjet, lideri partiak theksoi se me hapjen e kapitujve vendi do të sigurojë fonde shtesë për përforcim të ekonomisë dhe për më shumë dituri dhe profesionalizëm.

Shtylla e dhjetë, siç tha Kovaçevski, është hapërimi i përbashkët drejt Evropës i cili, sipas qëllimeve të LSDM-së parashikon përfundim të negociatave me BE-në deri në vitin 2028 dhe anëtarësim deri në vitin 2023.

Paga më të larta, sistem juridik, ekonomi të fuqishme, mbështetje për të rinjtë, investim në sektorin shëndetësor dhe bujqësi janë një pjesë e premtimeve të partisë politike ZNAM, e cila në Konventën që u mbajt në Shkup i prezantoi bartësit e listave për zgjedhjet vijuese parlamentare dhe e promovoi kandidatin për president të shtetit Maksim Dimitrievski.

Konventa mbajtën ZNAM, PRSD, DOM

Bartës liste në Njësinë e parë zgjedhore i partisë ZNAM është Boban Karapejovski, profesor i Fakultetit filologjik në UKM. Në Njësinë e dytë zgjedhore do të jetë Daniell Stojçevski, magjistër i të drejtës penale, drejtor i NP “Pastërtia dhe gjelbërimi” në Kumanovë. Në Njësinë e tretë zgjedhore do të jetë Pavle Arsovski, gjeneral-major në pension, doktor i shkencave historike. Në Njësinë e katërt zgjedhore do të jetë Mile Cekov, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Juglindore. Bartës liste në Njësinë e pestë zgjedhore do të jetë Vesna Bendevska, ish-deputete dhe anëtare e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Korrupsioni. Për bartës liste në Njësinë e gjashtë zgjedhore është zgjedhur Nebojsha Zaharievski, jurist.

Nën moton “Fuqishëm, me përgjegjësi dhe me ndershmëri për jetë dinjitoze dhe ardhmëri evropiane”, Partia e Re Socialdemokrate (PRSD) e mbajti Kongresin e gjashtë. Në Kongres, PRSD paralajmëroi mbështetje për presidentin aktual Stevo Pendarovski për zgjedhjet presidenciale, si dhe pjesëmarrje në Koalicionin evropian të udhëhequr nga LSDM-ja në zgjedhjet parlamentare. PRSD-ja i konfirmoi Goran Misovskin, Sonja Mirakovskën dhe Miki Millkovskin për kandidatë në lstat e koalicionit në njësinë e tretë, katërt dhe të gjashtë zgjedhore

Këshilli qendror i partisë DOM në seancën e sotme solli vendim që kryetarja e partisë Maja Moraçanin të jetë kandidate për deputete të partisë në pozitën e gjashtë në Njësinë e parë zgjedhore, në listën e përbashkët të koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja.

Edhe partia politika “Levica” i publikoi emrat e bartësve të listave për deputetë në gjashtë njësitë zgjedhore.

Përndryshe, LSDM-ja me 23 mars i publikoi emrat e bartësve të listave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Prej partive shqiptare, deri më tani vetëm koalicioni opozitar shqiptar “Vlen” i ka publikuar emrat e bartësve të listave për deputetë.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.