Kush do ta drejtojë Bërvenicën? Partitë filluan kalkulimet për zgjedhjet e 18 tetorit
Me afrimin e 18 tetorit ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, partitë politike kanë fillluar të bëjnë llogaritë zgjedhore, transmeton Portalb.mk.
Kandidat i konfirmuar tani për tani mbetet Arkin Jahiji nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga VLEN e kanë konfirmuar se do të kenë kandidat por deri më tani nuk kanë zyrtarizuar ndonjë emër.
Në ndërkohë nga Lidhja Shqiptare kanë deklaruar se duhet unifikim i votës shqiptare, megjithatë nuk e përjashtojnë mundësinë të nxerin kandidat të tyre.
Nga VMRO–DPMNE si kandidat i mundshëm përflitet Goran Jovanovski, sekretari shtetëror në Ministrinë e Energjetikës, ndërsa nga LSDM-ja Daniell Antoski, ish-drejtor i Shtëpisë Edukativo Korrektuese Tetovë. Por asnjë nga këto emra nuk është konfirmuar.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor, zgjedhjet mbahen pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski, i cili ishte nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Fushata zgjedhore do të fillojë më 21 shtator dhe do të zgjasë deri më 16 tetor.
Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit të kaluar, Komuna e Bërvenicës ishte një nga komunat më të diskutuara, ndërsa gara mori më tepër karakter etnik, ku përplasje përveç opozitës dhe pozitës, pati edhe midis partnerëve në qeveri VMRO-VLEN.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në 10 fshatrat e Komunës së Bërvenicës ka 13,645 banorë, nga të cilët 7,377 janë shqiptarë, 5,715 maqedonas dhe 1 rom.