RMV, OSBE/ODIHR hapi misionin vëzhgues për zgjedhjet e dyfishta, të angazhuar 320 vëzhgues

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi sot misionin vëzhgues në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj, i cili po zbatohet me ftesë të autoriteteve të vendit, transmeton Portalb.mk. 

Në konferencën e sotme për shtyp në Shkup, shefja e misionit, ambasadorja kanadeze Gillian Stark, theksoi se këto janë zgjedhjet e 22-ta në Maqedoninë e Veriut që ODIHR do të vëzhgojë.

Zgjedhjet e fundit që ata vëzhguan ishin zgjedhjet lokale të vitit 2021.

“ODIHR punon në përputhje me metodologjinë e vendosur për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ne jemi plotësisht të paanshëm dhe të bazuar në fakte. Në kuadër të misionit do të bëhet një vlerësim nëse zgjedhjet janë në përputhje me zotimet ndaj OSBE-së dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare, si dhe me legjislacionin kombëtar. Ne kemi një ekip kyç prej 12 ekspertësh ndërkombëtarë në Shkup nga 12 vende pjesëmarrëse të OSBE-së. Është një grup shumë i larmishëm. Do të jemi në vend si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare dhe do të largohemi më 19 maj”, tha ambasadorja Stark.

Përveç ekipit kryesor, do të jetë edhe një grup vëzhguesish afatgjatë, gjithsej 20 persona, të cilët do të dislokohen në mbarë vendin në ekipe nga dy në Tetovë, Ohër, Manastir, Prilep, Strumicë, Koçan, Kumanovë dhe Shtip, kurse në Shkup do të jenë dy ekipe.

“Kemi kërkuar edhe 300 vëzhgues afatshkurtër të cilët duhet të vijnë menjëherë para zgjedhjeve. Pak ditë para zgjedhjeve ata do të shkojnë në qendrat e votimit, do të vëzhgojnë votuesit dhe procesin e numërimit të votave dhe përmbledhjes së rezultateve. Ato do të vijnë pak para zgjedhjeve, 24 prill dhe 8 maj”, shtoi ambasadorja Stark.

E pyetur nëse rekomandimet e OSBE/ODIHR për disa nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë miratuar me shumë vonesë, duke qenë se janë miratuar vetëm dy javë më parë dhe nëse institucionet kanë kohë për t’u përgatitur, shefja e misionit vëzhgues thotë se janë ende në fazën e analizës.

“Ne kemi pasur një takim fillestar me KSHZ-në, por kjo është dita jonë e parë e punës si mision vëzhgues, prandaj po fillojmë me këto vlerësime. Jemi në dijeni të punës dhe rekomandimeve të mëparshme, por ende nuk kemi bërë një vlerësim të plotë. Jemi ende në fazën e analizës, por sigurisht kjo është një nga gjërat që do të analizohet në kuadër të misionit tonë monitorues, pra nëse janë marrë parasysh rekomandimet e mëparshme”, tha ambasadorja Stark.

Për sa i përket faktit nëse numri i vëzhguesve është rritur realisht dhe nëse kanë njohuri se priten konflikte, Stark theksoi se numri i vëzhguesve është bazuar në rekomandimet e misionit të vlerësimit të nevojave pas vizitës në janar të këtij viti.

“Janë dy lloje zgjedhjesh që zhvillohen në të njëjtën ditë, kështu që nuk është e pazakontë të kemi një numër të madh vëzhguesish dhe ne kërkojmë një numër të madh vëzhguesish për të dyja llojet e zgjedhjeve. Siç thashë, kjo bazohet në rekomandimet e misionit të vlerësimit të nevojave”, tha shefja e misionit vëzhgues, ambasadorja Stark.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.